Kreu i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ka kërkuar që eshtrat e Hasan Prishtinës të sillen në Kosovë.
Aktualisht eshtrat e patriotit të madh prehen në Kukës.

Me rastin e shënimit të 85-vjetorit të vrasjes së heroit Veseli ka thënë se eshtrat e Hasan Prishtinës duhet të varrosen me ceremoni shtetërore, afër vendit ku janë varrosur ish-presidenti Ibrahim Rugova, dhe simboli i rezistencës Adem Demaçi.

“Në 85 vjetorin e vdekjes kujtojmë Hasan Prishtinën, heroin e madh të Pavarësisë së Shqipërisë dhe themeluesin e Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e Kosovës. Në këtë vit të nderimit kombëtar për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun dhe në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të krijimit të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, kam marrë iniciativën që eshtrat e Hasan Prishtinës të sillen në Kosovë dhe në një ceremoni shtetërore të varrosën në Prishtinë, në vendin ku prehen Ibrahim Rugova, presidenti i parë i Kosovës dhe Adem Demaçi, simboli i rezistencës kombëtare në Kosovë”, ka shkruar Veseli.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se për këtë u ka kërkuar letër autoriteteve në Shqipëri.
“Për këtë qëllim u kam dërguar një letër autoriteteve shtetërore në Tiranë, që të na mbështesin në këtë inciativë domethënëse për memorien dhe identitetin shtetëror të Kosovës. Kosova nuk i harron bijtë e vetë, heronjtë e saj. Ata, si gjithmonë, kthehen të fundit nga betejat”, shkruan Veseli.

Katër vite më parë familjarët e patriotit dhe ish-kryeministrit Hasan Prishtina, të mbështetur edhe nga një grup intelektualësh nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria i dërguan një letër presidentit të Republikës, atëherë Bujar Nishani dhe liderëve të tjerë shqiptarë duke i kërkuar rivarrosjen në Tiranë të eshtrave që prehen në varrezat e Kukësit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb