TIRANE-Katër të ndaluarit për sasinë monetare prej rreth 3.4 mln euro, të sekuestruara në portin e Durrësit pak ditë më parë në dy makina “Toyota Yaris”, do të vijojnë të mbeten në burg. Edi (Eduart) Lika, pronari i subjektit transportues, djali i tij Klevis Lika, 19 vjeç që shoqëronte drejtuesin e kamionit në udhëtim, dhe shoferi i kamionit Agim Ceka, dhe ndërmjetësi Alban Mollaymeri, dolën sot para Gjykatës së Krimeve të Rënda për rivlerësim të masës së sigurisë., por ndaj tyre u caktua sërish “arrest me burg”.

Në nisje të seancës, prokurori i çështjes kërkoi që seanca të zhvillohej me dyer të mbyllura, pasi sipas tij ka të dhëna që mund të dëmtojnë hetimin, por një gjë e tillë u kundërshtua nga avokati.

Ndërkaq, për rastin e 3.4 milionë eurove në dy makina “Toyota Yaris”, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar letër-porosi në 3 shtete, Gjermani, Belgjikë dhe Angli, nga ku pritet të merret informacion i detajuar.

Para disa ditësh u gjetën plot 3.4 milionë euro në dy mjete Toyota në portin e Durrësit, që futeshin për herë të parë në Shqipëri.

Dyshohet se këto para burojnë nga trafikimi i lëndëve narkotike dhe po futeshin në të zezë në Shqipëri, ndërsa përveç 4 të arrestuarve, janë shpallur në kërkim edhe dy kushërinjtë Alfred Vladi, 33 vjeç dhe Elvis Vladi, 38 vjeç, të dyshuar si porositësit e parave.

Në seancën e fundit, prokuroria kërkoi arrest me burg për të gjithë të arrestuarit. Gjykata e Durrësit vendosi të lërë pas hekurave të pandehurit dhe shpalli moskompetencë, duke e kaluar çështjen te Krimet e Rënda, duke qenë se ndaj të arrestuarve është ngritur edhe akuza si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb