TIRANE- Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër Presidentit të Konfederatës Zvicerane Alain Berset, në kuadër të 724 vjetorit të themelimit të këtij shteti. Kreu i shtetit vlerësoi marrëdhëniet e bashkëpunimit midis dy vendeve, ndërsa shtoi se Zvicra i ka dhënë mundësi komunitetit shqiptar të integrohet.

LETRA E METËS
I nderuar Zoti President,
Më lejoni që me rast Ditës së Themelimit të Konfederatës Zvicerane, të shpreh në emrin tim dhe të popullit shqiptar, urimet më të mira e të sinqerta për Ju dhe të gjithë qytetarët e Zvicrës.
Shpreh kënaqësinë për nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve e të bashkëpunimit midis dy vendeve tona, si në aspektin politik ashtu edhe në atë ekonomik e kulturor. Në dy dekadat e fundit këto marrëdhënie janë zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme, duke krijuar një bazament shumë të qëndrueshëm për të ardhmen e bashkëpunimit tonë.

Vlerësoj lart ndihmën që Zvicra i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, që nga viti 1992 e në vijim, si përmes asistencës teknike, ashtu edhe nëpërmjet donacioneve apo investimeve të drejtpërdrejta. Mbështetja zvicerane, veçanërisht për qeverisjen demokratike, decentralizimin dhe rritjen e kapaciteteve lokale, apo në fushën e arsimit profesional, ka qenë domethënëse dhe ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik e social të vendit.
Përfitoj nga rasti gjithashtu të shpreh mirënjohjen edhe për mbështetjen dhe mundësitë që Zvicra i ka krijuar komunitetit shqiptar për t’u integruar dhe bërë pjesë e shoqërisë së saj.
Ky komunitet është bërë sot një urë e fuqishme miqësie e bashkëpunimi dhe i ka dhënë një përmbajtje edhe më të madhe marrëdhënieve midis dy vendeve tona.
Me urimet më të mira për zhvillimin dhe përparimin e mëtejshëm të Zvicrës dhe qytetarëve të saj, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Ilir Meta
___________
Shkëlqesisë së Tij,
Zotit Alain Berset
President i Konfederatës Zvicerane
BERNË
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: