Në policinë e Kosovës rezulton të ketë pjesëtarë me probleme të shëndetit mental. 94 policë të tillë Inspektorati Policor i Kosovës i ka identifikuar dhe ka kërkuar pezullimin e tyre. Drejtoria e përgjithshme e PK-së po refuzon ta bëjë një gjë të tillë. Policët në fjalë janë ish-pjesëtarë të UÇK-së me status të invalidit të luftës.

Vetëm pak ditë më parë, Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë për pezullimin e 94 pjesëtarëve të saj. Arsyeja shqetësuese. IPK po pretendon se pjesëtarët në fjalë kanë probleme të natyrës psikike. Këtë e ka konfirmuar vetë IPK-ja dhe ka sqaruar arsyen e rekomandimit për pezullimin e këtyre policëve.

“Arsyeja e rekomandimit është për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore duke ju referuar dokumentacionit të tyre që i kanë paraqitur pranë komisionit mjekësor të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Institutit të Psikiatrisë Ligjore. Për shkak të dokumentacionit të tyre shëndetësor të paraqitur pranë komisionit mjekësor të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale është dëshmuar se kanë probleme shëndetësore të natyrës psikike”, thuhet në përgjigjen e IPK-së, raporton Wxpress.

Pjesëtarët në fjalë, të Policisë, janë ish-pjesëtarë të UÇK-së dhe e kanë të njohur statusin e
invalidit të luftës. Në polici të Kosovës janë gjithsej 148 pjesëtarë të cilët janë invalidë të luftës.
IPK paralajmëron Policinë e Kosovës për rrezikun që mund të paraqesin këta pjesëtarë, sidomos duke pasur parasysh se janë të pajisur me armë zjarri.

Policia e Kosovës thonë se janë duke e shqyrtuar rekomandimin në fjalë. “Policia e Kosovës ka pranuar një rekomandim nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe i njëjti është në proces të shqyrtimit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb