KORE E VERIUT- Një javë pasi Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh se Koreja e Veriut nuk përbën më rrezik bërthamor, ushtarakë të lartë amerikanë paralajmërojnë se nuk ka ende asnjë shenjë që Pheniani po ndërmerr ndonjë hap drejt çnuklearizimit. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, u tha gazetarëve se nuk pret hapa të tillë, përderisa nuk ka filluar ende negocimi i detajeve të marrëveshjes.

Presidenti Trump shfrytëzoi ndërkohë një tubim të stilit elektoral në Duluth, të shtetit Minnesota, për të paraqitur hapat drejt çnuklearizimit që po ndëmerr udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

“Eshtrat e heronjve tanë, 200 prej tyre, na i kanë kthyer në atdhe. Ndaluan hedhjen e raketave mbi Japoni. Ndaluan të gjitha testimet bërthamore. Ndaluan të gjithë punën kërkimore bërthamore. Pra, ndaluan çdo të lidhur me raketat dhe gjithçka që ne u kërkuam. Gjithashtu, i hodhën në erë instalacionet ku bënë testimet”, u tha mbështetësve Presidenti Trump.

Presidenti Trump tha se Kim Jong Uni do ta shndërrojë Korenë e Veriut në një vend të mrekullueshëm. Vlerësimi i Presidentit amerikan kushtëzohet nga fakti nëse veprimet e Kim Jong Unit do të përmbushin kërkesat amerikane për të lehtësuar sanksionet ndaj vendit të izoluar.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka paralajmëruar se sanksione të forta do të mbeten në fuqi derisa SHBA-ja të verifikojë “çnuklearizimin e plotë” të Phenianit.

Zoti Pompeo tha se ai pret të rikthehet në Korenë e Veriut në të ardhmen e afërt për të zbërthyer detajet e marrëveshjes.

Si pjesë e kësaj marrëveshjeje, Presidenti Trump ka premtuar t’i japë fund stërvitjeve ushtarake të përbashkëta të SHBA-së dhe Koresë së Jugut, të cilat kanë premtuar tashmë të pezullojnë stërvitjen e përbashkët të parashikuar në muajin gusht.

Zyrtarët amerikanë dhe ata koreanojugorë pritet ta diskutojnë këtë çështje ditën e premte, dhe konsultime të mëtejshme do të vazhdojnë javës tjetër kur Sekretari amerikan i Mbrojtjes të udhëtojë drejt Seulit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb