TIRANË- Deklaratat e ambasadorit të SHBA-ve Donald Lu për familjet mafioze dhe klanet kriminale janë komentuar gjerësisht nga opinioni publik, e disa janë rreshtuar pro tij e disa i kanë quajtur të vonuara.

Një nga akademikët e mëdhenj të Shqipërisë, themeluesi i Universitetit ‘Luarasi’ Prof. Dr. Aleks Luarasi i ka quajtur të drejta deklaratat e forta të ambasadorit amerikan. Në studion emisionit “Studio e Hapur” në News24, akademiku Luarasi tha se  mbasadorët interesohen për të mirën e Shqipërisë dhe ndonjëherë detyrohen të dalin edhe nga kostumi diplomatik.

Flitet shumë për drejtësinë, çfarë mendoni për vettingun?
Drejtësia është bluajtur nga një kancer i vërtetë, korrupsioni. Në drejtësi është i palejueshëm. Gëzohem shumë që e kam arritur këtë ditë, që jemi në pragun e një reforme në drejtësi për të hequr kalbësirat.

Mendoni se do jetë e suksesshme?
E dëshiroj të jetë e suksesshme por nuk e vë dorën në zjarr.

A do jetë drejtësia çelësi për të ndryshuar fatet e vendit?
Po do jetë një. Është thënë që bizneset e mëdha nuk vijnë në Shqipëri sepse duan drejtësi. Kanë më shumë neveri dhe mospëlqim për atë që bëhet këtu.

Kjo reformë me këto debate që ka nisur a do krijojë klimën për një brez të ri juristësh për një drejtësi moderne?
Besoj që po. Nuk duhet të humbasim shpresat. Shpesh i prish ambienti.

I keni ndjekur deklaratat e ambasadorit amerikan?
Po i kam ndjekur. I ka bërë shumë të forta. Ka shumë të drejtë. Por pse ua lëmë ambasadorëve t’i bëjnë. Duhet t’i bëjnë vetë pushtetarët tanë dhe vetë ata që janë drejtues të organeve të drejtësisë. Jo se ambasadorët nuk kanë të drejtë, sigurisht që kanë. Ata interesohen për të mirën e Shqipërisë, ndonjëherë dalin edhe nga ai kostumi diplomatik, kur shohin që ky vend nuk ecën si duhet.

Si mendoni pse detyrohet një ambasador të bëjë pohime të tilla, kaq të forta? Refuzohet të bëhen nga institucionet, të pranohen?
Refuzohet ose po them hezitohet nga politika.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb