TIRANE- “Teatri Kombëtar duhet të bëhet i ri”. Kështu deklaroi një nga artistët që nuk është përfshirë në debatin që ka ‘pushtuar’ për shembjen e teatrit.

Aktori i mirënjohur i skenës dhe filmit, Niko Kanxheri është pro ndërtimit të një teatri të ri.

“Teatri Kombëtar për mua duhet bërë i ri. Nostalgjia për dy godinat e ndërtuara për të qenë provizore, duhet të zhbëhet. Mua po ma ndërtojnë shtëpinë time, moderne, të bukur, të mirë, komode dhe papritur unë nxjerr një arsyetim të ri, se çfarë duan ato kulla atje. Janë dy probleme që nuk qëndrojnë bashkë, brenda tyre është një justifikim. Godina në vetvete nuk sjell nostalgji, historia e Teatrit Kombëtar do të mbetet e dokumentuar me arkivën, fotot e shfaqjeve, dekoret, kostumet, muzikën etj. Ç’lidhje ka me mua kulla?!. Për mua pikëpyetja më e madhe në fushën e artit dhe jo vetëm është: cili është ai mjet që mund të ndajë shapin nga sheqeri, të aftët nga të paaftët?! Unë s’e di, cili është ai mjet? Po të dalësh individualisht e të gjykosh gjithë botën, duke u nisur nga motive personale askush nuk të beson. Pra, duhet një organizim i tillë që ta bëjë këtë ndarje, të pastrohet skena nga plehrat. Prapë del pyetja, kush do të vendos se kush bën dhe kush nuk bën?! Kush është i qenësishëm në skenë dhe kush ka hyrë kontrabandë për motive vulgare, të dobëta?! Në rast se nuk zgjidhet ajo, atëherë gjithë arti dramatik do të ketë diçiturën: lëvizje amatore”, tha aktori.

Ai shtoi mes të tjerash: “Po rikonstruktohet opera, ku shkuan artistët, këngëtarët, muzikantët, regjisorët? Ata i hynë Shqipërisë nëpër rrethe, duke dhënë shfaqje në kushte ndoshta, edhe më të këqija, por aktivitetin e vazhdojnë. Ka skena të gjithë Shqipërisë që janë të gatshme të venë artistët e Teatrit, në Shkodër, Vlorë, Korçë, Fier, Gjirokastër”.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: