Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media ka sqaruar se pas shkëmbimit të informacioneve me autoritete malazeze, ditën e djeshme në Prishtinë ka zhvilluar një operacion policor për identifikimin dhe arrestimin e disa shtetasve të huaj, dy nga ta të kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar që dyshohet se janë të përfshirë edhe në “vrasje”.

Mes të arrestuarëve është edhe një shtetase kosovare që akuzohet se ka bashkëpunuar me dy malazezët dhe serbin.

Sipas komunikatës, operacioni është zhvilluar në dy lokacione në Prishtinë dhe gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dy armë, sasi e narkotikëve, një veturë, dokumente që dyshohet se janë të falsifikuara, sasi e parave dhe gjëra të tjera.

Policia gjatë operacionit ka arrestuar katër persona të dyshuar, dy nga të cilët dyshohet se përveç urdhër arrestit ndërkombëtar për vrasje, dyshohen të jenë përfshirë edhe në veprat penale: ‘Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’, si dhe ‘mbajtje ne pronësi, kontroll apo posedim te armës’.

Të arrestuarit në këtë operacion janë:
M.M. viti i lindjes 1981, mashkull/shtetas i Malit të Zi,
J.P. viti i lindjes 1988, mashkull/shtetas i Malit të Zi.
S.D. viti i lindjes 1996, mashkull/shtetas i Serbisë
L.Z. viti i lindjes 1995, femër/shtetase e Kosovës.

Me vendim të prokurorit, personat e dyshuar janë ndaluar për 48 orë, thuhet në një komunikatë për media.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: