DURRES- Pas arrestimi të inspektorit në Gjykatën e Durrësit, pasi u premtonte qytetarëve zgjidhje të çështjeve gjyqësore në këmbim të parave, ka reaguar institucioni ku ai punonte. Sipas Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, ka qenë kryetarja Joana Qeleshi ajo që ka denoncuar Haki Dylin.

Po ashtu Gjykata e Durrës dënon me forcë çdo veprim të paligjshëm të kryer në dëm të qytetarëve dhe punonjësve të drejtësisë, duke treguar vendosmëri në denoncimin e çdo rasti të ngjashëm.

Përveç Dylit u arrestua dhe Devis Qana, 40 vjeç, avokat pranë Dhomës së Avokatisë Tiranë.

REAGIMI I GJYKATËS
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës njofton se ndalimi më datë 10.07.2018 i punonjësit të policisë Haki Dyli, caktuar me detyrë shërbimi në sigurinë e godinës së gjykatës nga Policia e Shtetit, është bërë për llogari të procedimit penal të nisur mbi bazën e kallëzimit të Kryetares, Znj.Joana Qeleshi.
Kallëzimi u krye nisur nga dyshimet se punonjësi i policisë Haki Dyli merrte para në emër të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pa dijeninë e këtyre të fundit, duke u premtuar dhe mashtruar qytetarët mbi zgjidhjen në favor të tyre të çështjeve gjyqësore.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës dënon me forcë çdo veprim të paligjshëm të kryer në dëm të qytetarëve dhe punonjësve të drejtësisë, duke treguar vendosmëri në denoncimin e çdo rasti të ngjashëm, me qëllim garantimin e zbatimit të ligjit, shtetit të së drejtës dhe rritjes së besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.
Gjykata i bën thirrje kujtdo të cilit mund t’i jetë premtuar apo kërkuar çfarëdolloj shpërblimi i paligjshëm në emër të gjyqtarëve, prokurorëve apo administratës gjyqësore, të paraqesë kallëzim pranë organeve kompetente.
Faleminderit!
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb