TIRANË- Pak orë pas ngjarjes në Kamëz ku u qëllua me armë një lokal dhe një banesë dhe më pas shpërtheu një sasi eksplozivi, policia ka gjetur një makinë të djegur dhe brenda saj dy armë zjarri kallashnikovë.

Policia thotë se në Fushë Krujë është gjetur një mjet i djegur tip “Fuoristradë”, ku në brendësi të mjetit janë gjetur dy armë zjarri tip “Kallashnikov”, të cilat dyshohet se janë përdorur nga autorët në lidhje me ngjarjen e ndodhur.

Grupi hetimor po kryen hetime intensive për zbardhjen e ngjarjes të ndodhur rreth orës 2:00 të mëngjesit të sotëm në pronën e Sh.Halilit në Bulevardin Blu në Kamëz. Për këtë arsye janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë që kanë kapur momentin kur autorët kanë qëlluar me breshëri drejt lokalit dhe banesës.
Ngjarja mund të kishtë përfunduar në tragjedi, pasi brenda objektit kanë qenë të pranishëm të gjithë anëtarët e familjes Halili, mes tyre gra dhe fëmijë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb