* Autobusi me besimtarë ortodoksë dhe priftërinj
* Ekskursioni i organizuar nga Kisha e Shën Theodhorit në Vlorë
* Policia: Ngjarja aksidentale
* Dëshmia e priftit: Ishim 31 persona, ja si shpërthyen flakët
*Identifikohet viktima në autobus
* Të gjithë turistët nga 40 deri në 60 vjeç
*Ministri Beqaj: 11 të plagosur, 4 gra në gjendje të rëndë
(Në përditësim) KRUJE- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në qytetin e Krujës, kur një autobus, brenda të cilit kishte 31 besimtarë dhe priftërinj të Kishës Ungjillore të Vlorës, ka shpërthyer në flakë në ecje duke u shkrumbuar plotësisht.

Burimet policore bëjnë me dije se 1 grua ka vdekur e djegur, ndërsa 11 të tjerë janë plagosur. Viktima është rreth 60-vjeç, ndërsa bëhet me dije se ka mbetur e shkrumbuar brenda autobusit pa mundur të dalë.
Mësohet se autobusi ishte nisur nga Vlora për ekskursion në Krujë, ndërsa të gjithë turistët janë të moshës nga 40 deri në 60 vjeç, pjesa më e madhe gra. Autobusi ka marrë flakë gjatë ecjes dhe kjo ka penguar që personat të mund të dalin prej tij. Personat më me shumë dëmtime, raportohet të kenë qenë në pjesën e fundit të autobusit, aty nga kanë shpërthyer edhe flakët.

11 gra janë dërguar nga spitali i Krujës në repartin e djegie plastikës në QSUT e Tiranë me helikopter dhe autoambulanca, ndërsa 8 prej tyre ndodhen një gjendje më të rëndë. Paraprakisht dyshohet se zjarri në autobus mund të ketë ardhur pas një problemi në kondicioner.

BURIMET: SHKAK I ZJARRIT, NJE MASE ELEKTRIKE
Zbardhen detaje të reja nga shpërthimi i autobusit, ku për pasojë një grua humbi jetën dhe u plagosën 11 të tjera. Burime nga grupi hetimor i çështjes bëjnë me dije se dyshohet që shkak i zjarrit ka ardhur nga një masë elektrike. Po sipas këtyre burimeve, zjarri më pas ka nisur në ecje nga nxehja e motorit. Zhvillimi i zjarrit nga lart ka ardhur si pasoje e ushqimit me oksigjen tek pjesa e tavanit, e cila ka një hapësirë boshe qe përcjell ajrin e kondicionimit. Përzërja e dioksidit te karbonit ne ajrin i ka trullosur pak pasagjeret dhe kjo ka bere qe ta kapin me vonese zjarrin. Kjo hapësirë ka shpërndarë zjarrin me sekonda duke mos i lënë hapësira për ndërhyrje askujt, ne një fare mënyrë ka eksploduar furishëm

IDENTIFIKOHET VIKTIMA NË AUTOBUS, QUHEJ VIOLETA GJIKA
Është identifikuar viktima, e cila humbi jetën sot tragjikisht në Krujë. Bëhet fjalë për Violeta Gjikën, 65 vjeçe. Një dëshmitar tregon shkakun se përse viktima u identifikua në fund. “Vdekja e zonjës ishte e rëndë. Ngushëllime familjes. E konfirmuam në fund, pse e gjetëm kufomën vetëm kur u shuan komplet flakët”.

MINISTRI BEQAJ: 11 TË PALGOSUR, 4 GRA NË GJENDJE TË RËNDË
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj nga ambientet e spitalit të Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”, deklaroi se 4 gra janë në gjendje të rendë për jetën, pasi kanë pësuar rreth 50 për qind djegie në trup. “Besoj se sot kemi bërë një punë të mirë për të reaguar për emergjencën që kishim. Janë 4 helikopter që sollën në Tiranë të plagosurit. Këtu janë marrë të gjitha masat dhe kemi medikamente. 11 të sëmura, 8 në reaminacion dhe 4 prej tyre janë në gjendje të rëndë dhe kanë djegie 50 për qind.”, tha Beqaj.

KRYEPESHKOPI JANULLATOS VIZITON 11 TË PLAGOSURIT
Kryepeshkopi Anastas Janullatos ka vizituar sot 11 të plagosurit. Mësohet se ai shoqërohej nga përfaqësues të Kishës Ortodokse. Sipas përfaqësuesit të kishës Ortodokse, bëhet e ditur se autobusi me besimtarët kishte ndaluar si fillim në Durrës. “Kishin pirë një kafe në manastirin e ‘Shën Vlashit’, më pas kishin planifikuar të shkonin në kalanë e Krujës. Nuk di të them më shumë. Ishte udhëtim pelegrinazhi dhe destinacion i radhës mendohet të ishte Ulqini.”, tha ai. “Ishte diçka e papritur në automjet ndjemë një erë zjarri, menduam se ishin furrat gëlqeror, por pamë që zjarri përfshiu zjarrin. U munduam të dilnim prej aty por u bë panik i madh.”, i kishte pohuar një nga të mbijetuarit, përfaqësuesit të Kishës Ortodokse. “Kryepeshkopi i vizitoj një nga një të gjithë të plagosurit, dhe u dha bekimet e tyre. Ata e njohën, i buzëqeshën dhe shpresojmë shërim më të shpejt.”, pohoi përfaqësuesi i Kishës Ortodokse.

DRITAN LELI: EKSKURSIONI ISHTE ORGANIZUAR NGA KISHA, DISA TË PLAGOSUR NË GJENDJE TË RËNDË
Kreu i bashkisë së Vlorës Dritan Leli ka vizituar sot të lënduarit, ndërsa ka treguar se ekskursioni ishte organizuar nga Kisha. Sipas Lelit disa nga besimtarët ortodoks janë në gjendje të rëndë për jetën. “Disa prej tyre janë në gjendje të vështirë dhe shpresoj që të kalojë kjo situatë nën përkujdesjen e stafit më të mirë. “, tha ai.

JA EMRAT E TË PLAGOSURAVE
Të gjitha gratë e plagosura që ndodhen në repartin e djegie-plastikës në QSUT rezultojnë me djegje 50% të sipërfaqes trupore, ndërsa 2-3 janë më rëndë.

1. Viktori Moçka, 56 vjeç
2. Anita Mocka 24 vjeç,
3. Eneida Hysa, 59 vjeç,
4. Brunilda Islailaj, 54 vjeç,
5. Anita Hajdini 70 vjeç,
6. Elita Gega, 59 vjeç,
7. Sofe Lataj, 61 vjeç,
8. Anita Prifti, 20 vjeç,
9. Marjeta Rama, 61 vjeç,
10. Luciana Mita, 58 vjeç,
11. Afroviti Prifti, 74 vjeç.

MJEKU: JA GJENDJA E PACIENTEVE NE QSUT
Ora 14:49- Mjeku i QSUT-së bën me dije gjendjen shëndetësore të grave të plagosura të transportuara me helikopter e autoambulanca nga Kruja. Sipas tij në total në Tiranë janë transportuar 11 gra, 8 prej të cilave në gjendje më të rëndë. “Ndodhen në terapi intensive, po mjekohen, po ekzaminohen, po ju bëjmë analiza. 8 prej tyre janë në gjende të rëndë, 2 të mesme ndërsa një paciente pritet të transferohet në shërbimin e Toksikologjisë. Shkalla e djegies është gati sa gjysma e sipërfaqes së trupit. Janë më rëndë ato që janë të moshuara, për faktin se nuk dihet si do ta tolerojnë. Ju sigurojmë se janë të gjitha medikamentet, pajisjet, drejtoria na i ka siguruar”,- tha ai.
Më tej, mjeku ka siguruar e nëse është e nevojshme janë të gjitha mundësitë për transferimin e tyre jashtë vendit.

VASILI: SITUATA NËN KONTROLL, TË NXJERRIM MËSIME
Ora 14:30- Kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka parë nga afër gjendjen e të plagosurve në repartin e djegie-plastikës. Ai tha se 2-3 raste janë më rëndë por situata është nën kontroll dhe po bëhet gjithçka. “Nuk ka asgjë që mungon. Po bëhet më e mira, pa asnjë mungesë. 2-3 raste kanë problematikë të madhe, pjesa tjetër do kalojnë pa probleme. Keqardhja më e madhe për viktimën. Ngushëllime familjes për humbjen.

Situata është nën kontroll dhe ndjekja e saj në parametrat e duhur. Besoj që duhet të nxjerrim mësime të vazhdueshme. Janë aksidente të përsëritura me këto mjete. Shumë çështje, si kontrolli teknik duhen ndjekur me rigorozitet”, tha Vasili.

DREJTORI I URGJENCËS KOMBËTARE: KOORDINUAM PUNËN ME SPITALIN E KRUJËS
Ora 14:30- “U vumë menjëherë në gatishmëri, përveç dy helikopterëve, që kryen dy rrugë çdo 5 minuta, dy pacientë të tjerë u transportuan me autoambulanca”,- tha ai.
“Të 8 pacientët i kemi pritur në gjendje emergjence, kemi vënë staf shtesë në dispozicion. Jemi të gjithë në gjendje gatishmërie, me barna e ekzaminime, po e mbajmë situatën nën kontroll”,- tha ai.

NXIRRET NGA AUTOBUSI TRUPI I NJË PREJ VIKTIMAVE
14:21- Rreth 3 orë pasi autobusi me 31 persona mori flakë në ecje, forcat zjarrfikëse kanë nxjerrë trupi i viktimës. Ajo nuk është identifikuar ende, por sipas dëshmitarëve është rreth 60 vjeç, ndërsa sipas raportimeve viktima është karbonizuar tërësisht.

DETAJE PËR AUTOBUSIN, U BLE PARA DY VITESH
Ora 14:20- Gazetari Enrik Mehmeti bën me dije se autobusi që mori flakë sot në Krujë ishte relativisht i ri. Ai ishte blerë para dy muajsh dhe ishte i vitit 2006. Mësohet se autobusi ka kushtuar rreth 30 mijë euro, ndërsa pronari ka edhe një tjetër autobus, Volvo. Autobusi në fjalë kryente linjën Tiranë-Vlorë.

8 GRA NË GJENDJE MË TË RËNDË
Ora 14:12- Në repartin e djegie plastikës në QSUT ndodhen 11 gra, 8 prej të cilave në gjendje më të rëndë. Gazetari Skëndaj raporton se ato kanë djegie në mbi 50% të trupit.

DYSHIMET, FLAKËT U SHKAKTUAN NGA NJË QARK NË KONDICIONER
Gazetari Enrik Mehmeti raportoi se autobusi i Vlorës me të cilin udhëtonin 31 personat dhe që u përfshi nga flakët në Krujë ishte i ri dhe i blerë pak kohë më parë. Autobusi zakonisht bënte rrugën Tiranë-Vlorë. Gjithashtu, pas diskutimit të çështjes me ekspertë ai thotë se flakët mund të kenë nisur nga ndonjë qark në pjesën e kondicionerit të autobusit.

“Autobusi udhëtonte Tiranë-Vlorë. Ishte i ri dhe i blerë vetëm pak kohë më parë. Mund të bëhet fjalë për pjesën e kondicionerit të autobusit në pjesën e pasme. Motori sipas dëshmive nuk duket i dëmtuar. Mendohet mos ka ndodhur ndonjë qark në pjesën e kondicionerit”, tha Mehmeti.

LISTA ME EMRAT E UDHËTARËVE TË AUTOBUSIT
1- Atë Kostandin Prifti
2- Atë Dhimitraq Kushi
3- Atë Lluka Gjergji
4- Lina Hajdini
5- Irina Prifti
6- Luciana Mita
7- Vitori Mocka
8- Bledar Prifti
9- Kaludia Kadriaj
10- Kalianthi Nika
11- Sose Labaj
12- Eda Hysi
13- Anida Mocka
14- Elida Gega
15- Marjeta Ramaj
16- Violeta Gjika
17- Aleks Averbak
18- Aneta Averbak
19- Nikita Averbak
20- Vasil Kola
21- Olimbi Kola
22- Vasilika Mita
23- Theodhori Larushi
24- Drita Larushi
25- Marie Curri
26- Elvira Ndini
27- Alketa Kolonjari
28- Afroviti Mita
29- Afroviti Prifti
30- Brunilda Ismailaj

KISHA E SHEN THEODHORIT VLORE: VELLEZERIT TANE U NISEN PER PELEGRINAZH, U PERFSHINE NE AKSIDENT
Ora 13:34- Për ngjarjen e rende ka reaguar edhe Kisha, sipas të cilës besimtarët ishin nisur për pelegrinazh dhe u përfshinë në ketë aksident. “Të dashur vëllezër dhe motra, kërkojme lutjet tuaja per vëllezerit tane, besimtare te kishes sone ne Vlore, qe ishin nisur ne nje peligrinazh dhe u perfshine ne nje aksident te rende sot ne Kruje”,- thuhet ne reagimin e tyre.

RAMA E BEQAJ NË QSUT
EDI RAMA NE QSUT

Ora 13:16- Kryeministri i vendit Edi Rama dhe Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj kanë shkuar të shohin nga afër të plagosurit në QSUT.

4 TË LËNDUAR NË QSUT ME DJEGIE TË KONSIDERUESHME
Ora 13:01- Gazetari i News 24, Erion Skëndaj raporton nga QSUT-ja se 4 gra të mbërritura deri tani kanë djegie të konsiderueshme. Ai shton se mjekët nuk japin shumë detaje, pasi janë duke dhënë ndihmën e nevojshme.

MBËRRIN NË QSUT HELIKOPTERI I DYTË ME TË PLAGOSURIT

Ora 12:45- Ka mbërritur helikopteri me persona të tjerë të plagosur nga shpërthimi i autobusit në Krujë. Nga pamjet e transmetuara live nga News24, duken qartë udhëtarët me plagë të rënda në trup për shkak të djegies.

helikoptyeri ne tirane autosusi i djegur

DREJTORI I SPITALIT TË KRUJËS: MUND TË KETË HUMBUR JETËN EDHE NJË PERSON I DYTË
Ora 12:35- Drejtori i spitalit të Krujës, Arben Kurti deklaron se mund të ketë 2 viktima nga djegia e autobusit në qendër të qytetit. Ai tha se përveç gruas që u shkrumbua në autobus, dyshohet edhe për një tjetër viktimë. “Ishin 10 të lënduar lehtë dhe 3 në gjendje të rëndë. Të gjithë u dërguan për në Tiranë. Dyshohet edhe për një tjetër të vdekur, kam një informacion paraprak”,- tha ai.

DËSHMIA: AUTOBUSI U NDEZ MENJËHERË, DOLËM NGA DRITARJA DHE DERA
Ora 12:30- Një prej personave që ndodheshin në autobus, prifti Kostandini ka rrëfyer për News24 dinamikën e ngjarjeve dhe minutat e tmerrit se si i shpëtuan flakëve udhëtarët.

“Ishim në udhëtim për në Krujë. Autobusi u ndez menjëherë. Shoferi hapi kroskotin. Dikush na ndihmoi theu xhamin me një varre. Disa dolë nnga dritarja dhe disa nga dera. Ishim 31 veta. Ishim nisur për në Shkodër dhe do shkonim në Ulqin dhe do ktheheshim nesër. Filloi të futej tym brenda, shoferi ndaloi dhe sa ndaloi filloi flaka dhe ne u hodhëm poshtë”, tha një prej dëshmitarëve.

MBËRRIJNË 4 TË PLAGOSUR NË TIRANË
Ora 12:18- Katër persona kanë mbërritur në repartin e djegie-plastikës në QSUT. Ata janë sjellë me helikopterë. 12 është numri i të plagosurve, 10 prej tyre janë në gjendje të rëndë.

PERSONI I KARBONIZUAR BRENDA NË AUTOBUS
Ora 12:20- Trupi i karbonizuar i një prej personave ndodhet ende në autobusin e shkrumbuar. Gazetari Prend Shota tha se në Krujë ndodhet një numër i madh autoritetesh dhe i forcave të rendit.

KREU I BASHKISË KRUJË: JA SI NDODHI NGJARJA
Ora 12:15- Kreu i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi ka treguar gjithë çfarë ka ndodhur në një lidhje telefonike për News24.

Ai tha se autobusi është përfshirë menjëherë nga flakët dhe se kanë qenë qytetarët ata që kanë njoftuar shoferin dhe duke i thënë të ndalonte menjëherë. Sapo shoferi ka zbritur duke hapur derën, flakët janë përhapur më shumë.

“Një autobus me turistë nga Vlora është futur në qendër të Krujës dhe përballë qendrës shëndetësore ka shpërthyer flaka. Qytetarët e kanë parë dhe e kanë lajmëruar. Të gjithë personat në autobus janë përpjekur menjëherë të dalin. Me sa kam informacion është 1 viktimë, në dispozicion janë policia, ambulanca, zjarrfikësja. Janë evakuuar menjëherë personat e tjerë në autobus. Shkaqet e zjarrit nuk dihen.

Shoferi dhe personat nuk i kanë parë flakët. Të gjithë kanë dalë menjëherë me përjashtim të një gruaje. Flakët kanë shpërthyer menjëherë dhe ndoshta ajo nuk ka dalë dot nga autobusi. Nuk dihet nëse janë të huaj”, tha Bushi.

10 TË PLAGOSUR TRANSPORTOHEN DREJT TIRANËS
Ora 12:10- Pas shpërthimit për shkaqe ende të panjohura të autobusit në Krujë, mësohet se 10 besimtarë u transportuan drejt Tiranës. Mësohet e ata po kurohen pranë repartit të djegjeve në QSUT.

(ma.ar/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb