Dimitris Avramopoulos, Komisioneri Evropian për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, në një shkrim autorial dërguar “Kohës Ditore” që do të botohet në numrin e nesërm, ka thënë se Kosova ka arritur progres dhe kriteret për liberalizim vizash janë plotësuar.

“Një kapitull i rëndësishëm në historinë tonë të përbashkët: Kosova i plotëson kriteret për liberalizim të vizave”, ka thënë Avramopoulos, raporton Koha.net.

“Pas shumë vitesh e muajsh të përpjekjeve dhe punës së madhe, Komisioni tashmë konfirmon se Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet për liberalizimin e vizave. Tash, ne inkurajojmë Këshillin dhe Parlamentin Evropian që të lëvizin përpara me propozimin tonë. Unë vërtetë shpresoj se jemi shumë pranë një regjimi pa viza për të gjithë rajonin, i cili do të vendoset shumë shpejt”, ka theksuar Dimitris Avramopoulos, Komisioneri Evropian për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë.

Ndërkaq, sot në orën 16:30, komisioneri Avramopoulos, bashkë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, do të mbajnë konferencën për media ku do të jepet lajmi për plotësim të kritereve për liberalizim të vizave.

Kadri Veseli, kryeparlamentar i Kosovës, pas takimit të sotëm me Mogherinin, tha se rekomandimi për liberalizim vizash është hapi i parë drejt hyrjes në fuqi të vendimit.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Parlamenti Evropian, më 29 apo më 30 gusht do të mblidhet për të miratuar vendimin e KE-së, e më pas të shkojë edhe tek Këshilli i Ministrave të BE-së që të kalojë edhe në nivel të ministrave të Rendit, ku tha se do të jetë pak më vështirë, “por jemi me shpresë të madhe që me sot po e përmbyllim një temë shumë të rëndësishëm për qytetarët e vendit – lëvizja e lirë”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb