TIRANE– Ish-ministri i Drejtësisë, Gazmend Bardhi ka shprehur shqetësim për mungesën e Gjykatës Kushtetuese në vendin tonë. Në rubrikën “Opinion” në “News24”, Këshilltari Ligjor i grupit të PD e ka konsideruar “ekzekutimin” e Gjykatës Kushtetuese, dhe pothuajse edhe atë të Gjykatës së Lartë pas shkarkimeve në kuadër të vettingut, si një akt të paprecedentë në historinë botërore.

“Edi Rama mund të bëjë një ligj që heq pronën private, mbyll median private, madje edhe mund të miratojë një ligj për të pushkatuar njerëz dhe nuk ka asnjë mekanizëm që mund ta ndalojë”, thotë ai.

“Në kushtet që nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, si meritë e kësaj qeverie, si askund tjetër në botë, duhet ndërprerë edhe veprimtaria normative deri në zgjidhjen e këtij ngërçi. Rama mund të miratojë një ligj për të mbyllur mediat private dhe s’ka Gjykatë Kushtetuese për ta ndalur një gjë të tillë. Mund te nxjerr nje ligj qe pushkatohen te gjithe ata qe flasin kunder Qeverise dhe prapë s’ka Gjykatë Kushtetuese që e ndalon. Mund të vendosë të miratojë një ligj për të marrë pronën private dhe prapë s’ka mekanizëm që e ndalon pa Gjykatë Kushtetuese”, tha ai.

Sipas Bardhit në rast se ligji “Fusha” për Teatrin Kombëtar nuk bllokohet nga Presidenti, duhej të dërgohej në Gjykatë Kushtetuese, gjë që është e pamundur për shkak të shkatërrimit të qëllimshëm të këtij institucioni.

“Jemi përballë një mashtrimi të madh. Na është thënë se “Fusha shpk”, është pronare e truallit kufitar me teatrin, por në fakt është pronar mes 10 pronarëve të një prone jo në kufi me truallin e Teatrit. Ligji “Fusha” ka vetëm një qëllim, pastrimin e parave të drogës dhe përfitimin e shumave të majme nga njerëzit e pushtetit. Presidenti ka rol që të garantojë zbatimin e Kushtetutës. Ushtrimi i dispozitave kushtetutese nga kreu i shtetit është e vetmja garanci e përputhshmërisë së ligjit me Kushtetutën”, tha Bardhi.

Këshilltari ligjor i grupit të PD, Gazmend Bardhi për këtë situatë absurd të mungesës së Gjykatës Kushtetuese, fajësoi zbatimin me standard të trefishtë të Vettingut nga njerëz të kapur prej qeverisë dhe Edi Ramës.

“Vetingu deri tani ka funksionuar me standarte të trefishta. Një gjyqtar që thotë se ka blerë vilë duke marrë borxh nga vëllai pa të ardhura konfirmohet në detyrë, ndërsa një gjyqtar që ka folur me kunatin përdorues marijuane hiqet nga detyra pa asnjë shkelje”, u shpreh Bardhi.

Zyrtari demokrat rrëzoi pretendimet e shumicës së duke bllokuar Ligjin për Magjistraturën po bllokon pikërisht plotësimin e gjykatave me gjyqtarë të rinj.

“Ligji për magjistraturën nuk e zgjidh problemin në Gjykatën Kushtetuese dhe as të të Gjykatës së Lartë. Ky është një mashtrim i madh. Studentët e sapodiplomuar nga Magjistratura emëreohen në gjykatat e shkallës se parë pasi në dy gjykatat e mësipërme emërohen gjyqtarë me eksperiencë pune minimum 15 vjet”, deklaroi Bardhi, duke shprehur domosdoshmërinë që palët të ulen e të gjejnë zgjidhje për krijimin e institucioneve që përcaktohen në Kushtetutën e miratuar me consensus për Reformën në Drejtësi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb