TIRANË- Kreu i PD-së Lulzim Basha ka qenë sot në familjen e komisar Artan Cukut me rastin e 105-vjetorit të krijimit të policisë shqiptare. Ai ka falënderuar burrat dhe gratë e ndershme nën uniformë që përmbushin me përkushtim e sakrificë detyrën e tyre por tha se sot policia ndodhet në një moment tragjik e tradhtuar nga drejtuesit politikë.

I pyetur për vettingun në polici të paralajmëruar nga ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, Basha tha se të bësh vetting me Xhafën e Ramën është si t’i varësh mëlçitë ujkut në qafë. Nuk kanë munguar akuzat nga ish-ministrit Tahiri dhe ish-drejtorit të Policisë Haki Çako.

Basha u shoqërua nga deputetët Flamur Noka, Gent Strazimiri, Enkelejd Alibeaj dhe ish-drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

Komisar Artan Cuku, është nderuar nga Presidenti Bujar Nishani me dekoratën “Shqiponja e Artë”.


Komunikimi i plotë i Kryetarit Basha me gazetarët
Sot në këtë 105 vjetor të Policisë së Shtetit dua t’i drejtoj një mesazh çdo punonjësi të policisë në detyrë apo në lirim, i cili apo e cila ka punuar me integritet dhe ndershmëri duke iu përmbajtur betimit për mbrojtjen e Kushtetutës, ligjit, jetës dhe pasurisë së qytetarëve.

Me një falënderim të thellë nga zemra, për sakrificën, përkushtimin, trimërinë dhe kurajon me të cilën kanë përmbushur dhe përmbushin detyrat e tyre. E di se në këtë 105 vjetor Policia është në një moment tragjik e tradhtuar nga drejtuesit politikë. Ndodhet në një moment tragjik sepse, nëse më parë kriminelët merrnin arratinë dhe oficerët e policisë ishin në ballë të luftës, sot, kriminelët, janë në krye të kupolës drejtuese të Policisë, Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve politike të vendit, dhe janë drejtuesit dhe punonjësit me integritet të policisë që kanë marrë arratinë apo janë ekzekutuar nga dora e krimit, siç janë rastet e njohura të drejtuesit të lartë të Policisë së Shtetit, Artan Cuku, dhjetëra punonjësve të tjerë të policisë të cilët janë goditur nga krimi për të vetmen arsye, sepse nuk dinin të ktheheshin pas në luftën kundër krimit. Siç janë rastet e Dritan Zaganit dhe kolegëve të tij, të cilët janë detyruar të marrin arratinë dhe të kërkojnë azil politik, pasi denoncuan lidhjet e pushtetit kriminal, lidhjet e Saimir Tahirit dhe shefit të tij politik me bandat më të rrezikshme të trafikut të drogës dhe të krimit. Shqipëria është në këtë gjendje, sepse Policia e Shtetit i është dorëzuar nga politika, nga pushteti i korruptuar i Edi Ramës, i Saimir Tahirit dhe drejtuesve të tjerë politikë të kësaj aleance me krimin, krimit dhe veprimtarisë kriminale.

Shqipëria është kthyer në një zonë të lirë të krimit, si pjesë e paktit kriminal, midis Edi Ramës dhe atyre që e ndihmuan të vijë në pushtet me vota të blera, vota të shitura. Ndaj shërbimi më i madh që mund të bëjmë ndaj burrave dhe grave të ndershëm në uniformë është të bashkohemi në një aleancë vlerash, për të shporrur aleancën e krimit në pushtet dhe për të rikthyer edhe një herë drejtësinë çliruar nga krimi, policinë e çliruar nga krimi e cila të mund të kryejë detyrat e saj të larta dhe fisnike. Në këtë 105 vjetor i uroj çdo burri dhe gruaje në uniformë, të gjëjë forcën, të përballet me këtë të vërtetë të dhimbshme dhe t’i bashkohet me shpirt kurajës qytetare që po ngrihet dhe do të ngrihet në aksionin qytetar dhe politikë për t’i dhënë fund aleancës së krimit në pushtet.

Z.Basha si e vlerësoni nismën e z.Xhafa për vettingun në Policinë e Shtetit? Ka hartuar një projektligj që shumë shpejt do të paraqitet në Kuvend.
Korrupsioni dhe lidhja e tij me krimin nuk nisi nga rradhët e policisë por nga koka politike e policisë. Nisi nga Saimir Tahiri dhe Haki Çako, kjo është tashmë katërcipërisht e provuar. Saimir Tahiri dhe Haki Çako janë dy hallka të sistemit kriminal që drejtohet nga Edi Rama dhe ku Fatmir Xhafa ka lidhje dhe rolin e tij të padiskutueshëm. Pra, vettingu nga Fatmir Xhafa, apo Edi Rama, apo kjo shumicë e bërë njësh me krimin, është si t’i varësh mëlçitë ujkut në qafë. Policia do të pastrohet, kur qeverisja të pastrohet nga politikanët e lidhur me krimin.

A mund të bëni një koment për emrat që kanë dalë për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, si e vlerësoni?
Asnjë vlerë nuk kanë manovrat dhe fasadat. Më kujtojnë gjithçka që ka ndodhur 4 vite më parë, kur Saimir Tahiri nga njëra anë u bë Ministër i Brendshëm dhe nga ana tjetër u bë koka e trafikut të drogës. Jemi në një situatë të ngjashme dhe këtë ua them bazuar jo në hamendësime, as në supozime, as në mllefe politike por në fakte kokëforta, një pjesë prej të cilave kanë dalë dhe jam i sigurt që të tjera do të bëhen publike. Është kjo qeveri e inkriminuar, kjo qeveri e bërë njësh me interesat e krimit dhe ky Ministër i Brendshëm, të cilët janë shkaktarët dhe arsyet pse policia ndodhet në këtë gjendje të mjeruar, ku jo vetëm nuk lufton krimin, por sa herë Lufton, goditet nga krimi. Ndaj zgjidhja për pastrimin e policisë dhe kupolës së policisë nga shërbëtorët e krimit fillon me pastrimin e qeverisë dhe dhënien fund të aleancës së krimit, që mishërohet nga ky kryeministër, nga ministri i Brendshëm dhe gjithë figurat politike të kësaj maxhorance. Faleminderit!

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: