DURRES – Bashkëshortët, Hiqmet dhe Anila Kajtazi, dje kanë takuar në burgun 325 në Tiranë vajzën e tyre, Orialdën. Takimi është realizuar mesditën e djeshme, pasi dy ditë më parë e bija u kërkoi falje për të gjitha shqetësimet që u solli pesë javët e fundit. “Dje e takuam Orialdën në burgun e grave. Për afro një orë e gjysmë ne folëm me të. Vajza na tha se është penduar shumë për gjithçka që ka bërë. Ajo na u ankua për shërbimin e psikologëve të policisë dhe gjykatës, pasi ata nuk e kanë këshilluar për asgjë se si të sillej dhe të afrohej me ne prindërit dhe motrën e saj të madhe”, – tha dje për “Gazeta Shqiptare”, Hiqmet Kajtazi. Ndërkohë, ai dhe gruaja e tij pohuan se do ta apelojnë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Durrësit, e cila të hënën dha masën e sigurisë “Arrest me burg” për vajzën e tyre, Orialdën. “Ne do kërkojmë që Orialda të dalë nga burgu, pasi nuk e kemi denoncuar dhe, për më tepër, e kemi falur për të gjitha veprimet që ajo ka bërë ndaj nesh. Gjatë takimit të sotëm (djeshëm), ajo na tha se një pjesë të parave që vodhi nga shtëpia i ka harxhuar së bashku me motrën e vogël, Klevisën, për të blerë orenditë shtëpiake në banesën që ato kishin marrë me qira në Vlorë”, – pohoi Hiqmet Kajtazi. Ndërkohë, mësohet se 18-vjeçarja u ka thënë prindërve se kishin paguar qiranë e banesës në Vlorë edhe për një muaj tjetër dhe se ata duhej t’i merrnin paratë pronarit. Gjithashtu, Orialda Kajtazi është shprehur se duhej të bënin të pamundurën për të bindur Klevisën (ndodhet në qendrën e rehabilitimit në Kamëz) që pas datës 7 shtator të kthehet në shtëpi. Historia e dy motrave Kajtazi zë fill më 15 korrik të këtij viti, ku ato, pasi helmuan prindërit dhe motrën e tyre të madhe, vodhën kursimet e familjes, i vunë zjarrin shtëpisë dhe më pas u arratisën për një muaj.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: