Nga: Clive Crook

“Bloombergview”

Plani i Theresa May, mbi marrëdhëniet e Britanisë me Bashkimin Europian pas Brexit, vjen të paktën 18 muaj me vonesë. Me vetëm disa muaj kohë për negociatave reale, përpara se Britania e Madhe të largohet zyrtarisht nga unioni, ai ka shkaktuar krizën më të rëndë politike me te cilën duhet të përballet ende zonja May, duke vënë në pikëpyetje të ardhmen e saj si kryeministre.

Për më tepër, është një plan që BE-ja ka shumë gjasa ta refuzojë. Besojeni apo jo, ky është një progres. Plani që ka përshkruar May – një version i plotë është premtuar të botohet të enjten – është të paktën një plan. Kjo është diçka që Britanisë i ka munguar deri më sot. Dhe është një plan për një Brexit më të butë, pra më pak traumatik, që duket se e dëshirojnë shumë konservatorë. Dhe kjo është gjithashtu diçka e mirë.

Ideja është për një pakt, që përqendrohet në një marrëveshje të tregtisë së lirë midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së për mallrat. Britania do të duhej ta ruajë sistemin e saj rregullator për mallrat në përputhje me BE, dhe do t’i japë Gjykatës Evropiane të Drejtësisë të paktën një rol (megjithëse jo, insiston May, “të drejtën e veprimit” në Mbretërinë e Bashkuar), në interpretimin dhe zbatimin e rregullave.

Kompanitë britanike do të jenë të kënaqura me këtë, por militantët e Brexiter, shohin këtu shkeljen e vijave të kuqe. Shërbimet nuk do të mbuloheshin, dhe Mbretëria e Bashkuar nuk do të pajtohej me parimin e lëvizjes së lirë të njerëzve midis Britanisë dhe BE-së – kështu që ky nuk do të ishte një “Brexit vetëm në emër”.

Propozimi, përfshin gjithashtu një marrëveshje doganore, që do të shihte Mbretërinë e Bashkuar të mblidhte taksa në emër të BE-së për mallrat që hyjnë më së pari në Britani, për të shkuar më pas në Europën kontinentale. Kjo perspektivë është e ndërlikuar – disa thonë se ajo nuk është e zbatueshme – por së bashku me shtrirjen rregullatore për mallrat, mund të shmanget nevoja për një kufi doganor midis Irlandës së Veriut dhe Irlandës, ose midis Irlandës së Veriut dhe pjesës tjetër të Britanisë së Madhe. Dhe për të negociuar me vështirësi të shtuara, marrëveshje të reja tregtare me palë të treta – diçka që një bashkim i plotë doganor me BE do ta përjashtonte.

Pra, plani qëndron në mes të mundësive midis një Brexit të ashpër (që do të thotë në rastin më të mirë një marrëveshje të kufizuar të tregtisë së lirë, si ajo që BE-ja ka negociuar me Kanadanë) dhe anëtarësimin e plotë në tregun e brendshëm (që do të thotë pothuajse të gjitha të drejtat dhe detyrimet e BE, duke përfshirë lëvizjen e lirë, por asnjë zë në politikëbërjen e BE-së:I ashtuquajturi opsioni norvegjez).

Sigurisht, kjo nuk është zgjedhja e parë e askujt, dhe BE-ja mund ta kundërshtojë si të papranueshme “marrjen e qershisë mbi tortë”. Megjithatë, ai mund të jetë alternativa më e mirë dhe më e besueshme, ndaj skenarit më të vështirë të Brexit, që do ta shihte Britaninë të dilte nga BE vitin e ardhshëm pa asnjë marrëveshje.

Dorëheqjet e Dejvid Dejvis, ministri i cili fillimisht ishte përgjegjës për bisedimet Brexit dhe Boris Xhonson, sekretarit të Jashtëm, nuk janë diçka e keqe. Që të dyja, favorizojnë një ndarje më të pastër nga Evropa – Xhonson ishte udhëheqës i fushatës për largimin e vendit nga unioni – dhe as që ka qenë i gatshëm të mbështeste një plan hibrid, të llojit që mbështet përfundimisht kryeministrja May.

Dejvis ishte larguar tashmë nga procesi, dhe Xhonson, duke komplotuar vazhdimisht për të marrë udhëheqjen, nuk kishte asgjë konstruktive për të ofruar. Është shumë më mirë që May shpëtoi prej tyre. A do të thonë këto dorëheqje, dhe të tjerat që ndoshta pasojnë, një garë lidershipi që do të rrëzojë Theresa May dhe qeverinë e saj? Ndoshta – por ka më shumë të ngjarë që jo. Mund të ketë mbështetje të mjaftueshme nëse konservatorët thirren në një votëbesim të udhëheqëses së tyre (kjo duhet të kërkohet nga 48 deputetë konservatorë), por është e dyshimtë se do të kishte mjaftueshëm vota për ta rrëzuar atë (kërkon një shumicë prej 316 deputetësh).

Një faktor tjetër: Tani për tani, Xhonson dhe të tjerët, që po manovrojnë për të rrëzuar zonjën May, nuk mund të kenë besim në fitimin e zgjedhjeve të përgjithshme, nëse kjo është pika ku përfundon komploti.

Për momentin, partia dhe vendi kryesisht dëshirojnë të udhëhiqen – dhe në qoftë se zonja May, përkundër dëshmive të 18 muajve të fundit, fillon të tregojë se ka dëshirë të udhëheqë, do të mbijetojë në një periudhë afat të shkurtër. Vendosja e një plani dhe mbrojtja e tij me një bindje të dukshme, që ajo e kreut për herë të parë në Dhomën e Komunëve të hënën, ishte një hap i vonuar në drejtimin e duhur.

Rreziku më i madh për udhëheqjen e saj, dhe për perspektivat ekonomike të Britanisë, nuk vjen nga partia e saj, por nga Bashkimi Europian. Gjithçka që negociatorët e Europës kanë thënë deri tani, sugjeron se ata do ta konsiderojnë të papranueshëm planin hibrid që ajo propozon.

Logjika e këtij pozicioni, është shumë e diskutueshme.

S’ka asnjë arsye, se përse hapësira midis një marrëveshjeje të stilit të Kanadesë dhe opsionit të Norvegjisë, duhet të jetë boshe. Ndërtimi i partneritetit më të ngushtë që politika mund të lejojë, është në interesat afatgjata të Europës dhe Britanisë. Por do të jetë i nevojshëm një zbutje e theksuar e qëndrimit të BE-së, madje edhe Europën, që të mund të quajë planin e May një bazë për negociata.

Nëse Europa e hedh poshtë atë, atëherë pozita e May, mund të jetë realisht e pashpresë. Udhëheqësit e Europës, duhet të reflektojnë mbi pasojat. Në Mbretërinë e Bashkuar, zonja May tani shihet se ka bërë gjithçka për një kompromis të papëlqyeshëm. Nëse BE e hedh poshtë këtë plan, dhe kërkon që në fakt Britania e Madhe të pranojë çfarëdolloj kushtesh që ajo dikton, kjo mund të sigurojë një fitore afatshkurtër.

Por në një periudhë më afatgjatë, kjo është perspektiva që do të ndihmonte më shumë Xhonson dhe komplotistët e tjerë anti-BE. Ndoshta Bashkimi Europian, duhet ta mendojë dy herë para se të lidhet më shumë me një armik të zhurmshëm, dhe të shohë nëse tek e fundit mund të arrihet një marrëveshje hibride./Bota.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: