LEZHË- Mbledhjen e parë të qeverisë në vitin e Skënderbeut kryeministri Edi Rama e ka zhvilluar në Lezhë, ku Gjergj Kastrioti mblodhi princat shqiptarë në Kuvendin e parë për t’u bërë bashkë kundër armikut. Por Rama është pritur me protesta nga banorët e Torovicës dhe të rinjtë e FRPD-së.

Këtë gjë kryeministri e ka përmendur sot gjatë një takimi në Shëngjin, ku pasi e falënderoi për bashkëpunimin kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj tha nuk e falënderoj për protestën, duke vënë në pikëpyetje se sa gisht kishte ai. Nuk ka munguar as përgjigjja e Frokajt, i cili madje rrëfeu edhe për një darkë, jo të gabuarën siç u shpreh të konsumuar dje me kryeministrin.

Rama: Unë e falënderoj kryetarin e Bashkisë për të gjithë bashkëpunimin. Nuk e falënderoj për protestën që e organizoi me ata. Është një shaka që e filloi dje. Se sa gisht kishte në protestën e djeshme…E falënderoj për ato detaje njohëse në aspektin e terrenit që nuk i kishim boll të qarta. Do ta bëjmë atë rrugë. Ne e kishim në planin 4-vjeçar. Unë dje i thashë këtyre gazetarëve brenda mandatit por besoj do bëhet më shpejt sepse është diçka që mund të bëhet më shpejt dhe me një kosto më të ulët se sa ajo që parashikonim për lidhjen e bregdetit.

Në çdo takim që kemi bërë jashtë Tiranës kemi axhustuar pikëpamje të caktuara, vendime të caktuara dhe kemi marrë përsipër angazhime të reja që lidhen me territorin.

Frrokaj: Isha mbrëmë në një darkë me kryeministrin e Shqipërisë. Nuk ishte darka e gabuar dhe isha në vendin e duhur në kohën e duhur. Është kryeministri i vendit tim. Darkat kanë gjithmonë një dozë ekstaze më shumë. Më vjen mirë që e pranoi që ka vëmendje Lezha për këto investime. Lezha ka nevojë për shumë investime. Do ta falënderoj nëse këto të dyja do bëhen realitet.

Në protestë do jem në datë 27 me partinë time. Unë i falënderova ata banorë, mbase kisha forcë ta ndaloja por nuk kisha arsyeja. Sepse edhe nga biseda që patëm gjatë darkës, ju u bindët që kishin të drejtë.

Rama: Sikur të kishin bërë një protestë në 8 vjet unë dje do ikja t’i përqafoja por e bënë pas 8 vjetëve protestën dhe është pak e dyshimtë. Unë ujë piva mbrëmë dhe i mbaj mend të gjitha ato që thamë gjatë darkës edhe pse nuk kam marrë shënimet.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb