Teuta e pret me qetësi përballjen me Lushnjën në “Niko Dovana”, ku do të kërkojnë që edhe matematikisht ta sigurojnë mbijetesën në Superiore. Trajneri Gentian Begeja shfaqet i kënaqur me ecurinë që po kalon skuadra, ndërsa zbulon çelësin e rikthimit të Teutës.

Ju pret një ndeshje e lehtë, ku mund të kënaqeni edhe me pak. Si vlerësohet ky takim nga Teuta?
Kampionati mbaron kur matematika të lejon të ulësh ritmin. Na pret një ndeshje shumë e rëndë- sishme me Lushnjën. Në letër duket një takim i lehtë, por nuk mendoj kështu. Kemi marrë masat sepse këto ndeshje kanë një specifikë të veçantë. Duhet një motivim shtesë te lojtarët, megjithatë skuadra është stërvitur mirë. Vijmë pas disa rezultatesh pozitive dhe nesër (sot) do t’ia bëjmë hyzmetin fitores.

Ndjeni keqardhje që ndaj Lushnjës keni humbur 5 pikë, të cilat mund t’u fusnin në valle për Europën?
Llogaritë s’bëhen kështu, çdo kampionat ka të veçantat e tij. Sigurisht kemi lënë pikë me Lushnjën, por edhe me kundërshtarë të tjerë. Ekipi ka pasur mundësi të marrë maksimumin e pikëve, por ka gabuar shpeshherë. Ndaj them se nuk na ka penalizuar vetëm Lushnja. E rëndësishme është që në këtë ndeshje të japim maksimumin dhe të sigurojmë qëndrimin në Superiore edhe matematikisht.

E keni marrë ekipin në një moment tepër të vështirë, ndërsa Teuta shihej si ekipi që do të pasonte Lushnjën, por më pas gjithçka ndryshoi tërësisht. Çfarë ka ndodhur, duket sikur i keni ‘dopuar’ lojtarët?
Stafi ka meritat e veta nuk diskutohet, por merita kryesore u takon lojtarëve sepse janë ata protagonistët kryesor që luajnë në fushë. Kur unë e kam marrë drejtimin e skuadrës, gjendja nuk ka qenë e mirë, të jemi realist. Gjithsesi, skuadra na është përgjigjur, djemtë kanë qenë të vetëdijshëm dhe kanë dhënë më të mirën, teksa këtu është një ambient i qetë ku punohet me kënaqësi. Kur Teuta ka pasur nevojë, ju keni qenë aty dhe e keni shpëtuar.

A mendoni se ka ardhur momenti t’i besohet stafit tuaj projekti ambicioz?
Primare për mua në këtë moment është ta mbyllim kampionatin me sukses. Këto janë gjëra që u takojnë drejtuesve, nuk e vendosim ne. Ne jemi profesionistë dhe bëjmë punën tonë. Kemi investuar te ky profesion. Si në fillim apo edhe kur drejtuesit ma kanë kërkuar të bëhem pjesë e skuadrës unë kam qenë gjithmonë i gatshëm dhe them se ia kam dalë. Për momentin nuk është ky objektivi im, por që skuadra të shpëtojë.

A ka qenë e vështirë për ju të motivonit skuadrën, kur pjesën më të madhe të kohës ka qenë e parafundit në klasifikim?
Unë, Biturku dhe Kapllani kemi qenë gjithmonë pjesë e Teutës dhe e njohim mirë ambientin këtu. Na ka favorizuar pak edhe fakti se nuk jemi ndarë asnjëherë nga klubi, pasi kemi drejtuar edhe ekipin e parë, por pjesën më të madhe të kohës kemi drejtuar Akademinë. Lojtarët i njohim më mirë, gjysmën e tyre i kam pasur te të rinjtë dhe ky ka qenë një faktor plus për të gjetur gjuhën e përbashkët që puna të ecë. Të jem realist kur e kam marr skuadrën, situata nuk ka qenë e mirë. Jemi mundur të rrisim harmoninë, të punojmë më shumë, pasi kështu lojtarët do të ishin më të përgjegjshëm. Besoj se çelësi i suksesit ka qenë harmonia dhe mirëkuptimi mes stafit, lojtarëve dhe drejtuesve.
Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/begeja-mendoj-vetem-mbijetesen-te-ardhmen-time-e-vendosin-drejtuesit/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: