Për gazetarin dhe analistin e njohur Ben Andoni, Shqipëria humbet shumë në marrëveshjen që pritet të finalizohet shumë shpejt me Greqinë.

I ftuar në emisionin “Intervista e Ditës” me Erjon Çikun, gazetari Andoni thotë se grekët falë kësaj marrëveshje marrin jo vetëm zgjerim të detit territorial, por edhe një nga pjesët më të pasura sa i përket resurseve.

Sipas Andonit, pala greke tregon edhe një herë se është një ndër diplomacitë më të mira, sa i përket negocimit me të tjerë për çështje delikate.

Ai thekson se falë kësaj marrëveshje, Greqia do të heqë ligjin e luftës, diçka që sipas gazetarit përdoret si kartë nga Athina zyrtare, pasi të dyja vendet kanë një sërë marrëveshjesh mes tyre për fqinjësinë e mirë. Po ashtu gjenden edhe nën kupolën e NATO-s.

Ndërkohë sa i përket çështjes çame, Ben Andoni shprehet se tashmë kjo çështje prej kohësh ka dalë nga axhenda e qeverisë shqiptare, dhe se nuk do të jetë pjesë e marrëveshjes.

Lidhur me zhvillimet e tjera në rajon, Andoni thotë se marrëveshja për emrin e Maqedonisë tashmë është drejt ratifikimit, pavarësisht kundërshtive të një pjese të maqedonasve.

Ndërsa për gazetarin, dialogu Kosovë-Serbi është drejt finalizimit, me të dyja palët që do të duhet të bëjnë lëshime të vështira për të arritur në atë pikë.

BUrimi: Gazeta Shqiptare – http://www.gsh.al/2018/07/05/intervista-e-dites-ben-andoni-shqiperia-humbet-ne-marreveshjen-greqine-qeveria-e-ka-harruar-camerine/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb