TIRANË- Krerët më të lartë të vendit kanë shprehur ngushëllimet e tyre për ndarjen nga jeta të analistit Andrea Stefani, i cili humbi sot betejën me kancerin duke u shuar në moshën 58-vjeçare në një spital në Romë.
Por mes dhjetëra mesazheve ka ardhur edhe ai i ish-kryeministrit Sali Berisha, një prej njerëzve ndoshta më të anatemuar nga gazetari Stefani, i cili do të mbahet mend edhe për shprehjen e tij “fajin e ka Saliu”.
Berisha e pranon se i ndjeri Stefani ka qenë një kundërshtar i palëkundur i tiji, por thotë se do të lërë një boshllëk në arenën e debatit dhe publicistikës shqiptare.
“Ngushëllim!
Ndahet nga jeta gazetari, analisti dhe publicisti Andrea Stefani. Andrea ishte një avokat i vendosur i së majtës, kritik dhe kundërshtar i palëkundur i imi dhe të djathtës së vendit, që lë një boshllëk të vërtetë në arenën e debatit dhe publicistikës tonë.
Me këtë rast i shpreh familjes së të ndjerit dhe miqve të tij ngushëllimet e mia më të sinqerta!”, shkruan Berisha.
(m.k/BalkanWeb)