Jo gjithçka shkon “vaj” për Tiranën. Nëse Vinsent Atinga është federuar, nuk mund të thuhet një gjë e tillë për Unful Kobinën. Lojtari akoma nuk është federuar me bardheblutë. Burime pranë klubit bëjnë me dije se futbollisti duhet të zyrtarizohet si federim.

Shkak është bërë bllokimi nga klubi ganez i federimit të Kobinës. Lajmi konfirmohet edhe nga FSHF-ja. Kështu, Hart of Oak, skuadra e Kobinës, mësohet se kërkon 20-30 mijë euro për kartonin e lojtarit, që ta lejojë të luajë me Tiranën. Klubi Tirana ofron një marrëveshje me të drejtë blerjeje të lojtarit. Kjo situatë ka bllokuar kartonin e transferimit, që deri në mesditë nuk kishte mbërritur në FSHF. Kobina është gati që të nisë një aventurë të re në Shqipëri, megjithatë “ngërçi” mbetet te kontrata që ai ka me Hart of Oak (e cila skadon në dhjetorin e 2018-ës).

Kobina ka refuzuar zgjatje të marrëveshjes, ndaj edhe situata është komplikuar ndjeshëm. Për këtë motiv, ata kanë nisur tratativat edhe me vetë ekipin që zotëron kartonin e tij për të gjetur gjuhën e përbashkët. Është pikërisht ky shkaku që po vonon edhe federimin e tij dhe me të gjitha gjasat do të detyrojë Tiranën të paguajë te ganezët. Uinful Kobina është mesfushor me një të kaluar edhe në Arabinë Saudite. Marrëveshja me 26-vjeçarin ishte mbyllur praktikisht prej mesit të muajit korrik.

E KALUARA – Tirana ka një histori të pasur me lojtarë të tillë që kanë probleme me klubet e tyre. Kujtojmë Keneth Mugunën, për të cilin Tirana pagoi, por në fund nuk arriti të merrte asgjë, pasi futbollisti ishte një dështim. Të mendosh se pas tentativash pa fund, Tirana ia doli mbanë të rrëmbente “yllin” e Gorit, Keneth Mugunën. Supertalenti, mesfushor, që sponsorizohej si me cilësi të shkëlqyera, u ble për 40 mijë dollarë. Blerja e tij u shoqërua me një polemikë të gjatë, të cilën klubet e zgjidhën pas një viti akuzash me afrikanët që kërcënonin se do të padisnin bardheblutë në FIFA.

LOJTARI – Ze Maria mund të bëjë llogaritë fare mirë me Uinful Kobinën si mesfushor dhe sulmues. Mesfushori në kushte emergjence mund të bëjë edhe numrin “9”, ndaj nuk përjashtohet mundësia që stafi teknik t’i shfrytëzojë cilësitë e ganezit. Në miqësoren e fundit me Prishtinën, ganezi nuk është se ka treguar ndonjë gjë të madhe, por shpresohet shumë nga lojtari me ngjyrë. Klubi ganez Hart of Oak, gjithashtu ka qenë i kënaqur me largimin e lojtarit, pasi sipas tyre do të sjellë para në arkat e klubit. /PanoramaSport/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb