Komisioni Europian gjobiti “Google” me një shumë rekord prej 4,3 miliardë eurosh për shkelje të rregullave të konkurrencës në BE me sistemin e tij të operimit për smartfonë dhe tableta “Android”, sipas një burimi pranë kësaj dosjeje.

Komisioni ka akuzuar “Google” për pengim të konkurrencës dhe përforcim të pozicionit të tij dominues mes motorëve të kërkimit duke detyruar prodhuesit që të parainstalojnë motorin e tij të kërkimit dhe aplikacionin e internetit “Chrome” në pajisjet “Android” në mënyrë që të përdoren aplikacionet e licensuara prej tij, siç është aplikacioni popullor “Google Play”.

Ky penalitet do të jetë gati dy herë më i lartë se sa gjoba rekord prej 2,42 miliardë eurosh që institucioni i BE-së për konkurencën vendosi kundër “Google” vitin e kaluar sepse kishte favorizuar shërbimet e tij të shitjes në rezultatet që dalin nga kërkimi në internet, shkruan Atsh.

“Android”-i është sistemi operativ më i përdorur në botë dhe ndodhet në rreth 80% të telefonave celularë.

Ky softuer i hapur i jepet prodhuesve falas, ndërkohë që “Google” nxjerr të ardhura nga reklamat që shfaqen në aplikacionet e tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb