Detaje të reja dalin në dritë nga vrasja makabre që tronditi pak ditë më parë Gjakovën, ku një burrë vrau gruan dhe vajzën e tij, 9 vjeçe. Në qendër të hetimeve është vënë mënyra se si prokuroria e shtetit kishte trajtuar denoncimet e Valbona Nrecaj, se përveç dhunës fizike, abuzohej seksualisht nga burri i saj. Krimi i rëndë ndodhi mbrëmjen e 7 gushtit. KALLXO.com ka zbuluar se Valbona ishte ankuar në maj të këtij viti në prokurorinë e Gjakovës duke pretenduar se burri i saj e kishte dhunuar edhe seksualisht gjatë jetës së tyre. Zbulon se deklarata e saj nuk është pjesë e diapozitivit të aktakuzës në të cilin Pjetër Nrecaj akuzohet vetëm për lëndim trupor. Valbona Nrecaj dhe vajza e saj 9 vjeçare u qëlluan për vdekje në mbrëmjen e 7 gushtit, ndërsa i dyshuar për këtë është Pjetër Nrecaj, ish-bashkëshorti i viktimës. Megjithatë, dhuna në këtë familje ishte raportuar edhe në maj të këtij viti nga Valbona Nrecaj, që më pas Prokuroria e Gjakovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Pjetër Nrecaj, për veprën penale lëndim të lehtë trupor.

Kjo media ka siguruar aktakuzën e cila e ngarkon Pjetër Nrecaj me akuzën për lëndim të lehtë trupor ndaj Valbona Nrecaj, ish-bashkëshortes së tij. Këtë aktakuzë e kishte përfaqësuar prokurorja Mone Syla. Në lidhje me këtë rast, ndaj të akuzuarit Pjetër Nrecaj ishte shqiptuar masa e paraburgimit prej 1 muaji. Në deklaratën e dhënë në prokurori, e cila përshkruhet në këtë aktakuzë, Valbona Nrecaj kishte deklaruar se burri i saj kishte kryer me dhunë marrëdhënie seksuale me të.

“Ai gjithmonë ka kërkuar të ketë marrëdhënie seksuale pavarësisht prej meje se a jam e sëmure, a jam me vullnet, dua apo nuk dua, kam qenë e detyruar që t’i nënshtrohem kërkesës së tij për marrëdhënie edhe atëherë kur unë e kam kundërshtuar, ai këtë proces e ka kryer ndaj meje dhunshëm”, kishte deklaruar viktima Valbona Nrecaj para prokurores. Mirëpo, vëren se askund në aktakuzë nuk përshkruhet nëse prokurorja e rastit, Mone Syla kishte ndërmarrë ndonjë veprim për të hetuar këtë deklaratë të Valbona Nrecaj. Me një kërkesë zyrtare KALLXO.com, ka kërkuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit të trajtoj mos hetimin e kësaj deklarate të viktimës Valbona Nrecaj nga prokurorja Mone Syla.

“Ju njoftoj se unë sot i kam pranuar shkresat e lëndës të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, kundër të pandehurit Pjetër Nrecaj dhe pas shikimit të tyre, kemi gjetur se të dhënat e ofruara nga ana juaj përmes emailit janë plotësisht të sakta”, thuhet në përgjigjen e prokurorit Besim Kelmendi nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit. Sipas njoftimit të prokurorit Besim Kelmendi, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit do të njoftoj Këshillin Prokurorial, gjegjësisht Njësitin për vlerësim të përformancës së prokurorëve në lidhje me këtë rast.

“Lidhur me ketë rast, ne do të njoftojmë edhe Njësitin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për vlerësimin e përformacës së prokurorëve”, thuhet në përgjigjen e prokurorit Besim Kelmendi. Më tej, Besim Kelmendi ka njoftuar KALLXO.com se për këtë rast kanë kërkuar nga prokurorja Mone Syla që të shyrtohet mundësia e ndryshimit të aktakuzës ndaj të pandehurit Pjetër Nrecaj. “Ju njoftoj se Zyra jonë ka kërkuar nga prokurorja e rastit që të shqyrtoj të gjitha mundësitë ligjore që gjatë shqyrtimit gjyqësor, të ndryshoj aktakuzën e ngritur kundër të pandehurit Pjetër Nrecaj”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Prokurorja e ceshtjes, Mone Syla ka deklaruar se ishte e vetëdijshme për deklaratën e Valbona Nrecaj për marrëdhënie seksuale të kryera me dhunë nga ish-bashkëshorti i viktimës, por se sipas saj, nuk ka asnjë ekspert që do të vërtetohen një gjë e tillë. “Cili ekspert në botë mundet me konstatu një ekspertizë të dhunës seksuale kur ajo pretendonte se bashkëshorti ka kryer marrëdhënie me dhunë për 16 vjet, por asnjëherë se ka tregu kohën as mënyrën dhe as nuk e ka paraqitur rastin, por vetëm se ka pas raste gjatë martesës”, deklaroi prokurorja Mone Syla.

Sipas prokurores, për shkak të pamundësisë për të vërtetuar, ajo nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim shtesë për të hetuar pretendimin e viktimës Valbona Nrecaj, për marrëdhënje seksuale më dhunë të kryera ndaj saj nga ish-bashkëshorti Pjetër Nrecaj. Më tej prokurorja Mone Syla deklaroi se si prokurore i trajton me prioritet të gjitha rastet e dhunës në familje dhe se këtë rast e ka trajtuar me kujdes. “Të gjitha lëndët e dhunës në familje, jo vetëm këtë rast, unë i trajtoj me prioritet”, u deklarua prokurorja Mone Syla. Valbona Nrecaj u qëllua për vdekje mbrëmjen e 7 gushtit pesë orë më herët ajo kishte njoftuar policinë për kërcënimet që po i bëheshin nga ish bashkëshorti. Inspektorati Policor është duke hetuar nëse policia kishte mbrojtur në masën e duhur viktimën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: