Armando Cungu, trajneri i Kukësit, në një intervistë në lidhje me ndeshjen e kthimit të “Europa League” kundër Torpedo Kutaisit, ka deklaruar se në skuadrën verilindore është krijuar një situatë artificiale që shkon në favor të gjeorgjianëve.

“Natyrisht që ka qenë një mërzi për shkak të rezultatit, edhe pse mund të them se luajtëm shumë mirë në aspektin sulmues. Pësuam lehtësisht golat, por nuk është se kam drejtuar gishtin as te Hoxha dhe as te askush tjetër. Të gjithë u munduan të japin më të mirën, por humbën të gjithë bashkë dhe mërzia ime ishte normale, pasi pësuam pesë gola. Gjithsesi unë nuk dorëzohem dhe duke njohur grupin, e di që edhe ata nuk dorëzohen dhe do të luajmë shanset tona për kualifikim. Kjo situatë e krijuar është krejtësisht artificiale dhe shkon vetëm në favor të kundërshtarit.”

Çfarë ndikoi në këtë humbje me shifra të thella?

“Për shkak të problematikave dhe orvatjeve në udhëtim, por edhe problemeve me disa prej lojtarëve, që mbetën në aeroporte, apo erdhën me vonesë. Të gjitha këto ndikuan edhe në psikologjinë e ekipit, por edhe në lodhjen fizike të lojtarëve. Edhe unë përgatita një tjetër takim gjatë javës, por në fund u detyrova të riorganizoja skuadrën, për shkak të situatave të krijuara.”

Sa e mundur është përmbysja e rezultatit?

“Do të provojmë maksimumin, për të bërë edhe mrekullinë. Do të hidhemi në sulm që nga fillimi, për të gjetur golin, pasi nuk kemi çfarë të humbim. Nëse do të kemi fatin të gjejmë golin e parë shpejt, atëherë çdo gjë do të bëhet edhe më e lehtë për ne.”

Sa do të ndihmojnë afrimet e reja në skuadër, si Cuculi dhe Toure?

“Unë kam shpresë gjithmonë te çdo lojtar, Besoj te ekipi i Kukësit dhe te drejtuesit, që po punojnë për të përforcuar gjithnjë e më shumë ekipin. Sa më shumë lojtarë kualitativë të kemi në dispozicion, aq më mirë është për mua. Në kulturën time sportive, zgjedhjet do të jenë të thjeshta dhe të kuptueshme, pasi do të luajë ai që e meriton.”

Objektivi i Cungut me Kukësin?

“Nuk ka nevojë Armando Cungu të vijë t’i vërë objektiva Kukësi, pasi çdo trajner që vjen këtu, I ka të qarta synimet dhe vjen me një ide të caktuar., Patjetër që kampionatin është i vështirë, pasi ka ekipe që kanë bërë merkato të fuqishme, si Partizani, Vlora, Durrësi, por edhe Laçi mbetet një kockë e fortë, ndërsa Tirana ka gjithashtu ambiciet e veta. Me pak fjalë janë shumë ekipe, që kanë ambicie për të fituar kampionatin, apo për të dalë në Europë. Më pas do të jetë starti dhe vazhdimësia e kampionatit, që do të tregojë forcën reale të çdo ekipi. Patjetër që edhe Kukësi do të jetë pretendent për të fituar kampionatin, por pse jo edhe Kupën e Shqipërisë”, deklaroi Cungu për “super sport”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb