TIRANE- Ministri për Diasporën, Pandeli Majko është përfshirë në debatin në distancë për kufijtë me Kosovën, ndërsa i është përgjigjur deklaratës së Drejtorit të Zyrës Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriç. Përmes një reagimi në ‘Facebook’ Majko, ish-kryeministër i Shqipërisë gjatë periudhës së luftës së Kosovës, iu kundërpërgjigj Gjuriç duke thënë se ëndrrat me ndryshim kufijsh kanë mbaruar përfundimisht.

“Dje, në një vizitë zyrtare në Prishtinë, Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj më konfirmoi lajmin i cili është diskutuar prej kohësh midis Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës. Ai është fillimi i lëvizjes së lirë së njerëzve dhe mallrave midis dy vendeve tona duke filluar nga 1 janari 2019. Kujtoj se në takimin e parë zyrtar të dy kryeministrave, të Shqipërisë dhe Kosovës, si afat u vendos që ky proces të fillonte në 1 janar 2018. Për arsye të mirë-kuptueshme, Qeveria e Kosovës kërkoi kohën e nevojshme për të marrë vendimin. Dje, Kryeministri Haradinaj më kërkoi që në festimet ku ishim të ftuar bashkë me Presidentin Hashim Thaci dhe zëvendëskryeministrat Pacolli dhe Gashi në Komunën Skënderaj, nën hijen e bustit të Bacës Adem Jashari, të isha unë që do të jepja lajmin se Kosova e ka marrë vendimin përfundimtar për lëvizjen e lirë midis kufijve shtetërorë të dy vendeve tona”, -tha Majko.

Po ashtu Majko i kujtoi zyrtarit serb se Jugosllavia nuk ekziston më.

“Lexova që sot, Gjuriç, Drejtori i zyrës për Kosovën në Shtetin Serb ka deklaruar se “Kosova dhe Shqipëria nuk kanë kufij, ekziston vetëm kufiri ndërmjet Serbisë e Shqipërisë me gjatësi 111 kilometra”… Uroj që dikush ti thotë se Jugosllavia nuk ekziston më… Ëndrrat me ndryshim kufijsh kanë mbaruar përfundimisht. Kosova është shtet i pavarur dhe kjo është arsyeja pse edhe ai është sot drejtor…Natyrisht”, e mbyll reagimin e tij Majko.


Gjuriç i përgjigjet Majkos: Enver Hoxha ka vdekur
Kujtojmë se sot Gjuriç deklaroi se: “Enver Hoxha ka vdekur e nga Shqipëria e Madhe nuk ka dhe nuk do të ketë asgjë. Kosova dhe Shqipëria nuk kanë kufij, ekziston vetëm kufiri ndërmjet Serbisë e Shqipërisë me gjatësi 111 kilometra. Sipas Rezolutës 1244 ne jemi ata që kemi të drejtë t’i shfrytëzojmë kalimet kufitare te Qafa e Prushit dhe në Vërmicë dhe atje të kemi personelin tonë. Por për këtë askush në bashkësinë ndërkombëtare nuk shqetësohet e nuk shqetësohet as për deklarata të tilla kërcënuese që çdo ditë vijnë nga përfaqësues të ndryshëm”, ka thënë ai duke shtuar se këtë deklaratë Majko e ka thënë para përfaqësuesve më të lartë të Kosovës Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj”.

Majko: Nga 1 janari s’ka më kufij Shqipëri-Kosovë
Pandeli Majko, mbrëmë u tha kosovarëve se nga data 1 janar nuk do të ketë kufi mes Kosovës dhe Shqipërisë. Këtë deklaratë e dha në Skenderaj gjatë një manifestimi kushtuar emigrantëve.
Majko theksoi se kryeministri shqiptar, Edi Rama, e ka marrë vendimin në fjalë dhe nga 1 janari nuk do të ketë kufi mes dy shteteve. “Duhet me hap kufirin midis Shqipërisë dhe Kosovës, kryeministri na tha që e ka marrë vendimin, më datën 1 janar fillon lëvizja e lirë midis Shqipërisë dhe Kosovës”, tha Majko.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb