TIRANE– Ish- ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj ka folur në emisionin ‘Kjo Javë’ me Nisida Tufën në News24 për aktualitetin politik si dhe çështjen ‘Tahiri’. Dritan Demiraj tha se Saimir Tahiri nuk ka asnjë mundësi për t’u mbrojtur dhe sipas tij rënia e Tahirit lidhet edhe me ministra të tjerë.

“Pozicioni i Saimir Tahirit është i rëndë dhe mendoj se ai nuk ka asnjë mundësi për t’u mbrojtur. Mbase Prokuroria duhet të ishte më diskret në këtë çështje. Por sado që të mbrohet Tahiri dhe të tjerët, unë gjykoj se duhet të lihet Prokuroria dhe Gjykata që të bëjnë punën e tyre. Nuk mund të them asgjë për mbrojtjen e Tahirit, pasi atij sa i mbyllet një gjë i hapet një gjë tjetër. Rënia e Saimir Tahirit është e lidhur edhe me ministra të tjerë”- tha Dritan Demiraj.

Ndërkohë sa i përket pyetjes nëse ka dijeni për vendndodhjen e 3 ish zyrtarëve të policisë për të cilët Prokuroria e Krimeve të Rënda ka lëshuar urdhër arreste si të përfshirë në trafikun e drogës, Demiraj tha se nuk ka dijeni, por sipas tij ata po shfrytëzojnë afatin 30 ditor që më pas të pyeten si qytetarë të thjeshtë.

“Nuk kam dijeni dhe nuk flas për gjëra që nuk kam fakte dhe dijeni. Nëse Kryemadhi ka dijeni duhet t’i referojë në Prokurori materialet. Gjykoj se këtë herë Prokuroria duhet të jetë në lartësinë e duhur dhe të nisë zbatimi i ligjit jo vetën në deklarata. Gjykoj se ata po shfrytëzojnë afatin 30 ditor dhe më pas mund të pyeten si qytetarë të thjeshtë. Policia duhet të arrestojë edhe persona që kanë mandat arrestimi dhe ende nuk arrestohen. Mendoj se policia dhe ministri i brendshëm të marrin përgjegjësinë dhe policia duhet ti mbante nën vëzhgim 3 ish zyrtaret”- tha Demiraj.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: