TIRANE– Partia Demokratike ka vijuar akuzat ndaj qeverisë Rama për mbështetje të grupeve kriminale të përfshira në trafikun e drogës. Në një deklaratë për mediat, deputeti Flamur Noka tha se Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat me BE as në vitin 2019, pasi fenomeni i drogës nuk është luftuar, por vijon.

Sipas demokratit Noka, rasti i gjetjes së 3.4 mln eurove në mjetet “Toyota Yaris” dy ditë më parë në Portin e Durrësit, “është simboli i përfshirjes së qeverisë në trafikun e drogës”.

DEKLARATA E PLOTE
Droga dhe pastrimi i parave të pista nga organizatat kriminale me mbështetje qeveritare janë dy nga arsyet kryesore pse Shqipërisë nuk iu hapën negociatat dhe as kanë për t’iu hapur as në 2019-ën.

Dëshmia e zyrtarëve të policisë italiane në gazetën franceze “Liberation” se në Shqipëri vazhdon të mbillet kanabis me sasi të mëdha është një provë tjetër se Edi Rama mashtron, kur thotë se e ka hequr Shqipërinë nga harta e kultivimit të kanabisit.

Siç pohon, Nicola Altieri, gjeneral brigade në Bari, atje është bllokuar 10 ton drogë vetëm në katër muajt e parë të këtij viti. 10 tonë drogë që nuk është prodhim nga stoku i vjetër, sepse analizat e policisë italiane kanë treguar se prodhimi i përket muajve të fundit. I përket kohës, kur nga Edi Rama u shpall fitorja e luftës kundër kanabisit, njësoj siç shpalli tani fitoren për hapjen e negociatave.

E vërteta është se lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës është një nga kushtet që Bashkimi Europain i ka vënë Shqipërisë, në mënyrë që të vendosë për hapjen e negociatave qershorin e ardhshëm.

Në të vërtetë, nuk do të ndodhë asgjë nga ato që presin shqiptarët dhe bashkimit Europian, sepse Edi Rama është përfituesi kryesor i parave nga kultiivimi dhe trafikimi i drogës.

Edhe mediat europiane tani po e shprehin hapur se “paratë e drogës janë bërë para të politikës në Shqipëri”.

Rasti i 3.4 milionë eurove të drogës me Toyota Yaris është simboli i përfshirjes së maxhorancës së Edi Ramës në pastrimin e parave të drogës, duke nisur nga dy ministrat e brendshëm tek kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Shqiptarët, por dhe Bashkimi Europian nuk kanë më ansjë dyshim se kjo qeveri e ka lidhur fatin e saj me krimin dhe drogën, duke tradhëtuar intersat e vendit. Tani është koha ta largojmë, për t’I hapur Shqiperisë rrugën europiane.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb