TIRANE– Partia Demokratike është e vendosur të shfuqizojë çdo ligj që ul taksat për biznesin e bixhozit. Këtë e ka deklaruar paraditen e sotme deputetja demokrate, Fatbardha Kadiu në një deklaratë për mediat.

Ajo u shpreh sot se, “Ministria e Financave duhet t’u thotë shqiptarëve pse biznesi i bixhozit është katërfishuar gjatë qeverisë së Edi Ramës, pse ka lehtësuar nga taksat biznesin e kontrolluar prej vëllait të kryeministrit, pse shtyn prej 3 vjetësh zbatimin e ligjit për mbylljen e lojërave të fatit”.

Kadiu është ndalur edhe tek operacioni “Fundi i Marrëzisë”, duke hedhur akuza mbi qeverinë Rama.

“Pushteti i Ramës nisi me reklamën e madhe të operacionit “Fundi i Marrëzisë”, me pretendimin se do të mbyllte kazinotë dhe biznesin e bixhozit nëpër të gjitha cepat e pallateve. Ky operacion përfundoi të ishte vetëm një marrëzi e pafund. Pikat e basteve janë katërfishuar, sepse qeveria e Edi Ramës ka vendosur të zgjerojë biznesin, me të cilin iu mburr shqiptarëve se do ta mbyllte. Në 2013 ato ishin 928, sot numri i tyre e kalon 4230 pika bastesh, bixhozi dhe kazinosh. Vetëm në vitin 2017, shqiptarët kane lënë 132 milion euro ne bixhoz.

Është e vërteta që Ministria e Financave, tinëzisht, po kërkon të mbulojë, duke kanalizuar aferën korruptive të lojërave të fatit në një diskutim teknik, pa u thënë shqiptarëve pse e shtyn zbatimin e ligjit prej 3 vjetësh. E vërteta është se ndryshimet ligjore favorizojnë Lotarinë Kombëtare, kompani e cila do të përfitojë nga lehtësitë në taksim, njësoj siç përfitojnë bizneset e tjera të bixhozi që nga viti 2015”, tha ajo.

Më tej deputetja demokrate tha se biznesi po dëmtohet jo vetëm nga skema e TVSH, por edhe rritja e çmimit të ujit dhe energjisë elektrike.

“Ndërkohë që, biznesin e vogël e falimenton duke e futur në skemën e TVSH, fatura e ujit është rritur me 40%, energjia elektrike është rritur me 30% dhe çdo biznesi i janë shtuar shpenzimet me 23 %, i vetmi sektor ku qeveria bën lehtësira, që kur ka ardhur në pushtet, është sektori i bixhozit. Ka një arsye pse bixhozi sot është 4 fishuar: Ky është një biznes që kontrollohet nga familja e kryeministrit Edi Rama dhe krimi i organizuar me të cilin qeveris për të pastruar paratë e pista të drogës dhe korrupsionit qeveritar”, deklaroi deputetja Kadiu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb