Shqiptarët në Maqedoni duhet të përgatiten dhe duhet të punojnë më shumë për bërjen realitet të zyrtarizmit të gjuhës shqipe deklaron ish ambasadori i Shqipërisë në Shkup Z. Arben Cejku për emisionin Diplomaticus të gazetarit Erion Kaçorri. Sipas Z. Cejku, zyrtaret shqiptarët që janë nëpër institucionet e Maqedonisë në përputhje me ligjin dhe marrëveshjet e deritanishme mund ta ushtrojnë maksimalisht të drejtën e dygjuhësisë dhe duhet ta bëjnë fakt dygjuhësinë.

“Jo vetëm të presi nga institucionet e shtetit maqedonas që të punojnë për gjuhën shqipe, por duhet të jenë shqiptarët e Maqedonisë ata që duhet të punojnë më shumë dhe të ankohen më pak. Realisht kemi shumë pak produkte të gjuhës shqipe, kemi shumë pak letërsi në gjuhën shqipe që prodhohet në Maqedoni, kemi shumë pak produksione kulturore në gjuhën shqipe në Maqedoni”.

I pyetur nëse parashikon që gjërat do të ndryshojnë tashmë që Maqedonia do të ketë një ministër shqiptar kulture, Cejku përgjigjet se nuk e lidh këtë me postin e një zyrtari, por e lidh me përditshmërinë e qytetarëve në Maqedoni.

“Une besoj se është hapësirë e mjaftueshme që shqiptarët në Maqedoni ta ushtrojnë gjuhën e tyre. Edhe në gjykata kanë të drejtë që të flasin shqip dhe të heqin dorë nga kompleksi i inferioritetit që i ka shoqëruar për dekada me rradhë nën ish Jugosllavi. Tashmë është koha që shqiptarët e Maqedonisë të flasin shqip. Nëse dikush do t’i pengojë ata për të folur shqip në institucione atëherë kjo do të jetë një cështje. Kjo do të kërkojë një interpretim, dhe natyrisht që do të përfshijë edhe politikën. Por nëse Shqiptarët zgjedhin që të rrinë të heshtur kur pala tjetër flet gjuhën e vet atëherë kjo nuk mund të zgjidhet nga dikush tjetër. Nuk mund të vijë dikush nga SHBA apo BE dhe të flasë shqip aty. Duhet të jenë Shqiptarët ata të cilët duhet të venë në zbatim gjuhën e vet dhe të punojnë për gjuhën e vet”. Ambasadori Cejku thekson nevojën që në Maqedoni të ketë më shumë produkte në gjuhën shqipe.

“Intelektualët shqiptarë në Maqedoni të cilët janë në një numër të konsiderueshem të japin tonin e nevojshëm për gjuhën. Une e di që deputetët flasin shqip në parlament, flasin shqip në institucione. Universitetet shqiptare në Maqedoni duhet të kenë një jetë me të pasur kulturore dhe artistike dhe duhet të kenë më shumë teatro dhe produkte artistike të studentëve” deklaron ish ambasadori Cejku për News 24.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb