NGA JANI CAPO (Nipi i dëshmorit)
Kristaq Capo është vrarë më 2 korrik të vitit 1943, katër ditë pas arrestimit në rrethana misterioze në një bazë sekrete, në dalje të qytetit të Beratit. Qysh në atë kohë, është fol se u spiunua nga brenda, se u tradhtua nga njëri prej shokëve të ilegalit, që punonte fshehtas për SIMI-n italian. Pavarësisht se nuk guxonte kush ta përmendte emrin e tij, ne, familjarët, kemi dyshuar prej kohësh te Ramiz Alia. Të gjitha hulumtimet tona intensive, kontaktet me dëshmitarë okularë dhe ballafaqimi me dokumentet arkivore të kohës, të çonin te emri i tij. Po në çfarë rrethanash ndodhi ngjarja tragjike dhe si u kryqëzua nga milicia fashiste grupi i drejtuar nga Kristaq Capo atë mesditë të nxehtë qershori. Kush ishin luftëtarët e martirizuar tradhtisht dhe si mundi të shpëtojë Ramiz Alia nga radhët e tyre. Si ndodhi që disa ditë më vonë, gati në të njëjtat kushte, u arrestua dhe Kristaq e Margarita Tutulani.

RRETHIMI I PABESË NË BAZËN SEKRETE NË DALJE TË BERATIT
Ishte mesdita e 28 qershorit 1943. Kristaq Capo dhe grupi i liderëve lokalë të Lëvizjes Antifashiste ishin duke bërë përgatitjet e fundit në bazën e tyre në dalje të Beratit, për t’u nisur në zonën e Skraparit. Mungesa e Dituri Protopapës, kryetares së gruas antifashiste, i bëri të prisnin paksa. Vonesa e Ramiz Alisë, që shkoi për ta lajmëruar, e bënte situatën më kritike. Teksa bëheshin gati të merrnin pajimet dhe të dilnin jashtë, u përballën me rrethimin e trefishtë. Milicia fashiste me sa duket e kishte ndjekur nga afër lëvizjen e tyre. Njeriu që i kishte sjellë deri aty, pa dyshim që ishte njëri nga pjesëtarët e grupit. Jo më kot u përfol qysh në atë kohë se informatori i fshehtë kishte qenë Ramiz Alia. Rrugës duke shkuar për të lajmëruar Dituri Protopapën me biçikletën e Kristaq Capos, me sa dukej kishte ndërruar mendje dhe bëri atë që dinte të bënte më mirë. Kjo ishte tragjike për fatin e Kristaq Capos, Muhamet Meqemesë, Argjiro Lekës, Andrea Vrushos, Qemal Mysliut e Vizhdan Luarasit, të cilët po atë ditë përfunduan në burgun e Porto Romanos, për t’u pushkatuar katër ditë më vonë në qytetin e Tepelenës.

Eliminimi i tyre pasoi me një valë të egër arrestimesh e terrori masiv në qytetin e Beratit. Jo rastësisht në qendër të këtyre goditjeve u shënjestruan krerët e lëvizjes së qarkorit dhe një mori intelektualësh e njerëzish me autoritet në qytet e rrethina. Të informuar saktësisht për vendstrehimet e tyre, zyrtarët e SIMI-t fashist i prangosën njëri pas tjetrit. Vetëm në pak ditë u arrestuan e pushkatuan pjesa më e madhe dhe më e shëndoshë e krerëve të Lëvizjes Antifashiste të qarkut. Dy ditë pas arrestimit të Kristaqit, gati në të njëjtat rrethana, u arrestua dhe Kristaq e Margarita Tutulani. Disa nga bashkëkohësit e lidhën dhe këtë ngjarje me emrin e Ramiz Alisë…

HISTORIA E PATREGUAR DHE VLERAT E MOHUARA TË KRISTAQ CAPOS
Unë kam qenë i vogël, rreth nëntë vjeç, kur kam jetuar me Kristaqin. E kisha xhaxha, por jetonim nën një strehë. E kam ende në sy portretin e tij, me trupin e gjatë, flokët e zinj dhe vështrimin e ndezur. Si sot kujtoj buzëqeshjen e çiltër në orët e lira, pasi ai ishte bërë më tepër mysafir në shtëpi nga që rendte kudo për organizimin e qëndresës. Mbaj mend sakaq grupin e madh të shokëve, që hynin e dilnin në shtëpinë tonë në Kala, si të ishin pjesëtarë të familjes. Ndër ta më kujtohet Ramiz Alia, Kristaq e Margarita Tutulani, Alqi Kondi, Nako Spiro, Hajdar Dushi, Spiro Bakalli, Kristo Isak, Ramiz Aranitasi, Kareman Ylli, Gjin Marku, Zylyftar Veleshnja, Nikollaq Sallabanda, Koli Myzeqari, Ajet Xhindoli, Luan Qafëzezi, Sotir Manushi e dhjetëra të tjerë që vinin pa trokitur orë e pa orë. I kisha parë ata shumë herë edhe te dyqani i babait ngjitur me hotel “Kolombon”, më i madhi hotel i qytetit në atë kohë. Atje Kristaqi kishte bërë një tjetër strehëz për ilegalët. Dyqani kishte një dhomë të madhe në buzë të rrugës kryesore, kurse nga pas, rreth 10 metra nga lumi Osum, ishte një dhomë tjetër. Ajo shërbente për takimet e fshehta që bënte me luftëtarët e ilegalët.

Aty bëheshin mbledhje e jepeshin porosi nga qarkori i partisë, mblidheshin armatime, veshje e ushqime për luftën. Kristaqi, para se t’i përkushtohej luftës, kishte punuar mësues. Plot 12 vite shërbeu si arsimtar në 16 fshatra të skajshëm të Shqipërisë së Jugut, duke filluar nga zona e Korçës, Pogradecit, Përmetit, Tepelenës, Gjirokastrës e deri në fshatin më të largët të Skraparit. I dashuruar me profesionin, krijoi emër të mirë kudo ku shërbeu. Nuk është e rastit që edhe sot, pas 75 vitesh, kujtohet nga ish-nxënësit e tij me nderime e respekt.

Ka prej tyre që vijnë çdo përvjetor pranë familjes dhe nuk rreshtin së treguari me krenari episode nga historia e tij. Ka qenë diçka interesante kapërcimi i tij nga një mësues pasionant në luftëtar i vijës së parë kundër fashizmit. Sfida e parë u shfaq qysh ditën e pushtimit të vendit nga Italia fashiste. Kristaqi, 28-vjeçar në atë kohë, bashkë me disa shokë nga Berati, u nisën në Vlorë për ta pritur me armë zbarkimin e okupatorit. Që këtej, mësuesi i papërtuar u bë shpirti dhe zemra e aksioneve kundër pushtuesit. Nuk është e rastit që atij iu besua drejtimi i Lëvizjes Guerile, por dhe kreu i organizimit politik në Qarkun e Beratit, detyra të cilat i përmbushi me sukses deri ditën që u pushkatua. Mjaft nga bashkëluftëtarët tregojnë se ai nuk shquhej vetëm si një organizator i përsosur, por drejtonte me shembullin e tij, duke vepruar me guxim e duke shkuar vet i pari aty ku rreziku ishte më i madh. Pavarësisht se njerëz dhe qarqe të caktuara janë interesuar për ta zbehur kontributin e tij në Lëvizjen Antifashiste, historia dhe kujtesa e bashkëkohësve e ka arkivuar atë të patjetërsuar…

RAMIZ ALIA NUK SHKELI KURRË NË SHTËPINË E KRISTAQ CAPOS
Nga momenti i arrestimit të Kristaqit dhe deri sa ndërroi jetë, Ramiz Alia nuk e kapërceu kurrë portën e shtëpisë së Kristaq Capos. Harroi gjithçka nga ditënetët që kaloi aty mes një dashurie vëllazërore. Ne, familjarët e tjerë, jemi interesuar me dhjetëra herë pranë tij, unë personalisht i kam shkruar disa letra për arsyet e kësaj neglizhence, nëse mund ta quajmë të tillë, por nuk na është përgjigjur asnjëherë.

Pa dyshim që na ka lënduar kjo sjellje e Ramizit, por jo vetëm e tij. Më shumë se ajo, na ka lënduar indiferenca e autoriteteve në nderim të veprës së Kristaqit. Ca më tepër zhdukja dhe humbja e dokumenteve të shumta që ai dispononte, na jep arsyen të besojmë për veprime të qëllimshme, që e kapërcejnë neglizhencën e zakonshme. Është e vërtetë që njerëz dhe rrethe të caktuara kanë qenë të interesuara për ta zbehur e mohuar sa të mundin veprën e tij, me qëllim që kjo figurë e kompletuar dhe e spikatur e lidershipit të luftës, ky protagonist i orëve të para të Lëvizjes Antifashiste, të mbetej në hije. Pavarësisht kësaj, Kristaq Capo mbetet ai që u shfaq e veproi në ato ditë të stuhishme, qytetari i arsimuar që zotëronte gjashtë gjuhë të huaja, intelektuali me interesa të larta, që dinte t’i administronte e t’i orientonte si ai, drejtuesi i palodhur e luftëtari i vijës së parë, djaloshi i kudondodhur e zemërmirë, shoku dhe miku i njerëzve të thjeshtë, të cilëve u shërbeu me përkushtim deri në ditën e fundit. Prandaj jemi krenar ne, pasardhësit e tij, prandaj e kujtojmë me dashuri e dhimbje…

Titulli i redaksisë. Titulli i autorit “Trimi sypatrembur, Kristaq Capo”
***
Biografia/ Kush ishte Kristaq Capo

Kristaq Capo u lind në Berat më 17 qershor të vitit 1911. Mësimet e para i mori në vendlindje, pastaj vazhdoi studimet në Korfuz, por nuk arriti t’i përfundojë, për arsye shëndetësore. Më vonë u regjistrua në Shkollën Teknike të Harri Fullzit në Tiranë, të cilën e mbaroi me rezultate shumë të mira. Për të fituar shanse të tjera, në vitin 1930 dha disa provime plotësuese në Normalen e Elbasanit. Këtu pati rast të njihej me Jordan Misjen, me të cilin krijoi miqësi të afërt. I dashuruar me profesionin e mësuesit, e filloi karrierën e tij në Pustec dhe një vit më pas në Pojan të Rrethit të Korçës. Prej këtej do vazhdonte të shërbente në arsim në zonën e Tomorricës, më vonë në Përmet, Tepelenë, Gjirokastër e Skrapar. Veprimtarinë politike e nisi në vitin 1941, që me takimin e parë me të deleguarin e Komitetit Qendror, Gjin Marku. Me krijimin e celulës së parë në Qarkun e Beratit më 4 shkurt 1942, u zgjodh sekretar i kësaj celule. Prej këtij momenti pati takime të shpeshta me drejtuesit kryesorë të Lëvizjes Antifashiste, me të cilët krijoi miqësi e njohje personale dhe organizoi një sërë veprimtarish të guximshme antifashiste në qytet.

Shtëpia e Kristaq Capos ka qenë seli e partisë në Berat. Ka qenë strehë për ilegalët e lirisë. Ka qenë zyrë, ku bëheshin mbledhje dhe merreshin vendime të një rëndësie të veçantë. Ka qenë edhe spitali, ku mjekoheshin luftëtarët e plagosur. Aty shërbente me përkushtim të lartë nënë Fotinia, në krahë të së cilës qëndronte Zoica. Kontribuonte pa u lodhur vëllai i Kristaqit, Llambi, që u kap e burgos disa herë nga milicia fashiste, por qëndroi stoikisht e pa u lëkundur në idealin e vet.
Burimi: http://www.panorama.com.al/dossier-si-u-vra-deshmori-kristaq-capo-i-tradhtuar-nga-ramiz-alia/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: