LIVORNO- Dënime ekzemplare pavarësisht kërkesës për gjykim të shkurtuar për 8 të arrestuarit në mars të vitit 2017 në kuadër të operacionit “Pavarësia” të ekzekutuar nga skuadra e lëvizshme, seksioni antidrogë i Livornos dhe i koordinuar nga Drejtoria rajonale antimafia e Firenzes.

Gjykata e Firenzes ka vendosur dënimin me 73 vjet burg në total për 8 anëtarët e bandës, të gjithë shqiptarë, anëtarë të një grupi kriminal të trafikut dhe tregtisë së substancave narkotike që vepronte mes Livornos, Pisas, Massa Carrara, Pratos e Parmës.

Operacioni “Pavarësia” i kryer më 21 mars 2017, çoi në ekzekutimin e masave të arrestit për 8 persona, ndërkohë që më parë ishin ekzekutuar 12 arreste në flagrancë dhe ishin sekuestruar sasi të mëdha droge, 53 kg heroinë dhe 3 kg kokainë, rreth 31 mijë euro para cash, si dhe disa automjete.

Dënimet e dhëna për çdo anëtar të bandës shkojnë nga 6 vjet e 8 muaj deri në 16 vjet burg.

Dënimi gjithashtu parashikon konfiskimin e 2 pronave në Parma, 6 veturave (duke përfshirë një BMË Seria 1 dhe një Mercedes A clas), një kamion, 5 motoçikleta, si dhe dy llogari bankare (në të cilat janë depozituar rreth 31 mijë euro) të ardhura nga veprimtaria e paligjshme e grupit në emër të kreut të grupit Shkëlzen Kasa dhe gruas së tij.

1. K.S. (1984) – 16 vjet burg;
2. L. I. (1984) – 9 vjet e 4 muaj burg;
3. S. R., (1989) – 9 vjet e 8 muaj burg;
4. S. E. (1996) – 8 vjet e 8 muaj burg;
5. H. K. (1991) – 8 vjet burg;
6. P. E. (1990) – 8 vjet burg;
7. K. Ra. (1973) – 7 vjet e 4 muaj burg;
8. M. E. (1997) – 6 vjet e 8 muaj burg.

(m.k/BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb