Myrto Uzuni pritet të shitet në Kroaci për 200 mijë euro. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se drejtuesit e klubit të Superligës kroate, Lokomotiv Zagreb, janë takuar me presidentin Pashk Laska dhe kanë arritur një akord. Tashmë mbetet vetëm konkretizimi i marrëveshjes, me drejtuesit që kanë rënë dakord edhe për shifrën që do të derdhet në arkat e Laçit.

Presidenti Laska pagoi një vit më parë 20 mijë euro për blerjen e kartonit të Uzunit tek Apolonia, ndërsa tashmë synon ta shesë për jo më pak se 200 mijë euro. Mes disa interesimeve, duket se drejtuesit e Lokomotivës kanë qenë më insistues dhe kanë arritur të bindin kreun e klubit kurbinas. Oferta e tyre është zyrtare tashmë dhe vetëm në rast të ndonjë surprize marrëveshja mund të dështojë. Pritet që Uzuni të luajë me Laçin edhe dy ndeshjet ndaj Moldes, e më pas të transferohet në kampionatin kroat. Lokomotiv Zagreb është një klub ku në të kaluarën kanë qenë pjesë edhe disa lojtarë shqiptarë, duke filluar nga Sabjen Lilaj, e më pas Eros Grezda, Amir Rrahmani, Herdi Prenga dhe Endri Çekiçi.
Drejtori sportiv i Lokomotivës ka qenë këto ditë në Shqipëri, ku dhe ka biseduar me Laskën. Goli i shënuar ndaj Anorthosis sikur i vuri vulën bindjes që kroatët kishin për të marrë Uzunin. Në ndeshjen e së enjtes përveç skautëve kroatë, ishin edhe të tjerë agjentë klubesh nga vende të ndryshme të Europës. Uzuni ishte në qendër të vëmendjes, por hapin konkret e bëri vetëm Lokomotiva e Zagrebit.

ËNDRRA E 23-VJEÇARIT
Mesfushori beratas ëndërron që një ditë të kapë Kombëtaren, por natyrisht së pari duhet të luajë në një kampionat më të fortë. Për gazetën, në lidhje me të ardhmen, 23-vjeçari ka thënë: “Laçi ishte ekipi i duhur për mua, për të marrë të gjithë minutat që më duheshin dhe për të treguar vlerat si lojtar. Stafi teknik dhe presidenti më kanë dhënë shumë besim dhe mendoj se ia kam shpërblyer. E ardhmja? Normale që çdo futbollist ka ëndërr që të luajë jashtë vendit, por këto janë çështje që i takojnë presidentit. Vetëm ai e di të ardhmen time. Ai ka investuar për mua dhe vendos për mua. Dua të realizoj ëndrrën që kam, pra të grumbullohem nga Kombëtarja”.
Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/ekskluzive-drejtori-i-klubit-kroat-takon-lasken-gati-marreveshja-per-shitjen-e-uzunit/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: