Drita ka fituar trofeun e parë në sezonin e ri të futbollit të Kosovës. Gjilanasit ngritën trofeun e Superkupës pas triumfit kundër Prishtinës me rezultat prej 2-1, ku “Intelektualët” treguan fytyrën e kampionit në pjesën e dytë.

Në fakt, gjithçka kaloi në suaza të një spektakli dhe korrektësie mes të dyja taborëve të ekipeve kundërshtare.

Stadiumi “Fadil Vokrri” ishte pothuajse i mbushur i tërë pasi në shkallët e saj ishin prezent rreth dhjetë mijë tifozë.

Para takimit në shenjë nderimi për veprën e legjendës së ndjerë të futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit, të gjithë të pranishmit mbajtën një minutë heshtje.

“Plisat” kishin më shumë raste në 45 minutëshin e parë duke e goditur në tri raste edhe shtyllën e “Intelektualëve” ndërsa arritën të shënojnë vetëm një gol.

Me të filluar ndeshja, Mankenda minutën e dytë kishte një rast të mirë për shënim, por që nuk arriti të shfrytëzonte harkimin e mirë të Khaliditi dhe gabimin e portierit, Bakajt.

Pesë minuta më vonë, Ergyn Ahmeti dërgoi një gjuajtje të fortë drejt portës së Dritës, por që kësaj radhe Bakaj u tregua më i vëmendshëm dhe e dërgoi topin në korner.

Allen Jasharovki pasi mashtroi dy mbrojtës gjilanas në minutën e 16, por nuk arriti ta përballonte portierin Bakaj.
Po i njëjti lojtar nuk pati fat duke goditur shtyllën në të 18-ën minutë pasi dërgoi një goditje të fuqishme nga një distancë prej 25 metrave.

Ahmeti bëri një pasim të saktë në minutën e 33 në drejtim të sulmuesit Mankenda, i cili i gjendur i vetëm para portës së gjilanasve, goditi vetëm shtyllën vertikale të kampionëve të Kosovës.

Hoxha nuk arriti të shfrytëzojë një rast në minutën e 30 duke goditur sërish shtyllën vertikale të Bakajt.

Vetëm në minutën e 34, sulmuesi Mankenda arriti të sjell në epërsi skuadrën kryeqytetase duke goditur topin nga njëzet metra dhe i solli epërsinë e parë Prishtinës.

Pjesa e dytë foli pothuajse e tëra në dobi të futbollistëve të Dritës, të cilët arritën të përmbysin rezultatin dhe të shënonin fitore, shkruan tg.

Paraprakisht, megjithëse u kërkua që të mos hidhen sende dhe ndizen mjete piroteknike, një gjë të tillë nuk e respektuan tifozët e prishtinasve. Ata ndezën flakadanë dhe për këtë gjë u ndërpre për disa minuta takimi në minutën e 52-të.

Neziraj u pengua në zonën e rreptësisë nga Thaçi në minutën e 62 dhe pa asnjë dyshim gjyqtari Genc Nuzaj tregoi gishtin drejt pikës së penaltisë.

Fidan Gërbeshi u tregua i saktë në minutën e 64, por penalltia u desh të përsëritej për shkak të hyrjes së futbollistëve në zonën e rreptësisë.

Në të njëjtën anë sërish goditi Gërbeshi dhe shënoi golin e barazimit në minutën e 65 për ta ndezur atmosferën te Intelektualët.

Khalid kishte rast të mirë kur u gjend i vetëm para portierit Bakaj, por topin e gjuajti shumë lart mbi portën.
Krasniqi pasoi saktë drejt Xhevdet Shabanit, i cili harkoi saktë për toke drejt Betim Haxhimusës, i cili nuk gaboi nga afërsia dhe solli në epërsi gjilanasit në minutën e 82-të.

Deri në fund të ndeshjes më nuk pati gola dhe kështu, ndeshja përfundoi 2-1 për Intelektualët.
Theksojmë se kjo ishte Superkupa e parë për kampionin e Kosovës, Dritën në futboll ndërsa Prishtina deri më tani ka fituar nëntë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb