TIRANË- Katër ditë pas vrasjes dhe djegies së shtetasit shqiptar nga Mitrovica në Krujë, duket se policia ka tashmë një rrugë të qartë për zbardhjen e krimit. Xhafer Osmani u gjet i djegur në makinën e tij në fshatin Borizanë të Krujës mesditën e së shtunës.

Gazetarja Dorjana Bezat duke iu referuar burimeve nga policia raporton për “BalkanWeb” detaje të tjera nga hetimet. Mësohet se në krah të makinës, brenda së cilës është gjetur trupi i viktimes, ndodhej një libër i shenjtë (Kuran).

Libri i shenjtë është gjetur i pa dëmtuar nga zjarri, çka ka bërë që policia të mund të marrë shenjat e gishtave të gjendura mbi të. Ndërkaq policia ka dyshime se viktima është detyruar të betohet mbi Kuran dhe se ngjarja është një krim pasioni.

Madje hetuesit dyshojnë se konflikti ka nisur që në Kosovë. Për këtë arsye policia ka verifikuar lëvizjet e Xhafer Osmanit. Mësohet se ai ka hyrë dhe në janar në Shqipëri me mjetin e tij, raporton “BalkanWeb”.

Në janar shoqërohej dhe me 2 persona te tjerë nga Kosova, ndërsa qëndroi 1 javë në një hotel në Durrës. Edhe me 29 prill u regjistrua në të njëjtin hotel. Policia ka dyshime se familjarët kanë dijeni për konfliktin e Osmanit por se nuk flasin. Familjarët njoftuan policinë 1 ditë para zhdukjes ndonëse ai kishte 4 ditë që ishte larguar nga shtëpia.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb