TIRANE- Gjatë prezantimit të projektit të rijetëzimit të Piramidës, kryeministri i vendit Edi Rama ka folur për një projekt të shkëlqyer.

I pari i qeverisë nuk ka nguruar të tregojë edhe telefonatën e kryebashkiakut Erion Veliaj, ditën kur i kishte prezantuar studion që do merrte përsipër ta kthente Piramidën, në një qendër për fëmijët dhe të rinjtë.

“Projekti ka arritur të zgjidhë një nga sfidat që nuk zgjidheshin midis rilindjes së kësaj godine dhe funksionit të saj. Edhe me Erionin kam diskutuar, kemi pasur shumë projekte, por vazhdimisht pyesja se çfarë mund të jetë ajo që do ta mbajë gjallë godinën. Mund të jetë e bukur por në fund të ditës është funksioni i saj ajo që mbetet. Erdhëm në konkluzionin që kjo godinë duhet t’ju shkonte atyre që kanë më shumë nevojë, fëmijëve dhe të rinjve të rinj. Erioni kërkonte një rrugë për ta kthyer në një qendër për pjesën e të rinjve trendy të Tiranës, një komuntet minoritar. Unë i thosha fëmijët, fëmijët dhe kjo është merita e Zahos më shumë se sa e imja. E mbaj mend një ditë shumë mirë kur Erioni më telefonoi, i ekzaltuar si gjithmonë edhe kur telefonon për një pusetë, edhe kur telefonon për një projekt transformues me pasoja për brezat dhe më tha: E gjetëm lal, u zgjidh kjo punë. Më foli për Tubon, është diçka përtej ëndrrës sime më të bukur, diçka e jashtëzakonshme, dua t’i komplimentoj me shumë përulësi ideatorët e kësaj qendre”,- tha Rama.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: