TIRANE- Komisioni i Medias ka nisur me tensione. Demokratët nuk e kanë pritur mirë që ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro u shoqërua në seancën dëgjimore nga kryebashkiaku Erion Veliaj i cili sqaroi se nuk mund të vinte nesër në komision për shkak se ndodhej në një aktivitet me rëndësi për Bashkinë në Barcelonë.
Disa herë, kryetarja e komisionit Albana Vokshi i kërkoi Velaijt të largohej nga salla, por gjithçka kulmoi kur deputeti Flamur Noka u ngrit në këmbë dhe tentoi të largojë Veliajn nga salla.
Ai iu afrua, i preku karrigen, por u përball me Gardën. Edhe Veliaj u çua në këmbë. Replikat vazhduan për disa minuta.
Ashtu si Noka nga vendi u ngritën edhe deputetët Salianji, Balliu e Boçi, e nuk mungoi një konfrontim i Salianjit me oficerët e Gardës. Albana Vokshi nga ana e saj kërkonte ndërhyrjen e kryeparlamentarit Ruçi.
Disa minuta pas tensioneve Veliaj u largua vetë, pas tij edhe ministrja Kumbaro.
(m.a/BalkanWeb)