Të afërmit e Viktorjan Picakut, të riut 24-vjeçar që u ekzekutua me armë mbrëmjen e së mërkurës në Bari të Italisë, dyshojnë se pas kësaj ngjarjeje të rëndë fshihet një italian. Për tvklan.al, ata rrëfejnë se pak ditë më parë, Viktorjani kishte ndërhyrë për të mbrojtur një vajzë, e cila po dhunohej nga një italian. Familjarët thonë se 24-vjeçari ishte gjendur aty rastësisht dhe kishte ndërhyrë për të shpëtuar të renë.

Por kjo, gjithnjë sipas familjarëve të viktimës, duket se nuk është pranuar nga italiani, i cili mbrëmjen e së mërkurës mori hak ndaj të riut, duke i marrë atij jetën. Të afërmit e 24-vjeçarit thonë gjithashtu se kanë mësuar se një prej autorëve është vetëdorëzuar në polici, ndërsa tjetri është ende në kërkim.

NGJARJA
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 21:35 në një shesh të mbipopulluar të Coratos. Picaku u qëllua nga pas nga dy persona që lëviznin me një motor “Scooter”. Plumbat e kapën të riun në kokë dhe mushkëri duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Policia italiane po kryen hetime për zbardhjen e ngjarjes.

Viktima bënte punë të ndryshme në fshat, precedentë të vegjël, hetuesit shpjegojnë se nuk kishte të bënte me krimin e organizuar. Hetimet po zhvillohen në pista të ndryshme pa përjashtuar atë të pasionit. Gjatë natës u morën në pyetje disa njerëz, anëtarë të familjes dhe miq të të riut, por edhe ata që panë ngjarjen. Mbetet për t’u verifikuar nëse ka qenë një person ose dy, në motor që kanë qëlluar e më pas u zhdukën. Hetimet koordinohen nga gjykatësja e Prokurorisë së Tranit Raffaella De Luca.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb