Peter Olajinka është lojtari më i ri i skuadrës së Slavia Pragës në kampionatin çek të futbollit duke u afirmuar si një emër i njohur në Europë. Por futbollisti nigerian nuk do ta harrojë kurrë se fillimet e karrierës i kishte pikërisht në futbollin shqiptar, ku mbërriti si një  adoleshent 16-vjeçar për t’iu bashkuar skuadrës së Bylisit. Edhe në intervistën e tij të parë si futbollist i Slavias së Pragës, ai ka treguar se ka sakrifikuar gjithçka për të lëvizur nga vendlindja e tij drejt Shqipërisë, për të luajtur më në fund në Europë. Një zgjedhje e cila ishte ajo e duhura, pasi Olajinka tashmë është bërë një emër i njohur për të cilin klubi çek pagoi 3,2 milionë euro. “Ishte shumë e vështirë. Por kur isha i vogël dëshiroja të bëja hapin e madh para, ndaj sakrifikova gjithçka. U këshillova me prindërit e mi. Mendoj se Shqipëria ishte një nga opsionet e fundit që kishte mbetur për të shkuar në Europë. Në atë moment, nuk kishte alternativa përveç Shqipërisë, ndaj nuk kisha zgjidhje tjetër, mendova se do të ishte një zgjidhje e mirë për mua dhe pastaj bëra lëvizjen”, ishte tregimi i Olajinkës mbi momentin kur vendosi që të vinte i vetëm në Shqipëri për të ndjekur ëndrrën e tij. (o.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb