TIRANE- Deklarata e kryeministrit Edi Rama për presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan se ai ishte frymëzim për të, solli shumë reagime. Kështu, mes këtyre reagimeve, historiani dhe ish-ministri Paskal Milo ka komentuar qëndrimin e Ramës. I ftuar në emisionin ‘Studio e Hapur’ në “News24” Milo theksoi se tashmë të gjithë shqiptarët janë mësuar se Rama ka për zakon të prodhojë lajm. Teksa shtoi se kreu i qeverisë është jashtë kornize, historiani tha se Rama u jep material të gjithë skeptikëve kundër hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE, shkruan ‘BalkanWeb’.

“Duhet të mësohemi me kryeministrin Edi Rama që e ka për zakon që të prodhojë lajm. Edhe në këtë rast s’ka ndaluar. Provokuese në kuptimin e lëndës që jep media, për ta patur në vëmendje. Ai është jashtë kornizë. Se klasifikon si politikan e udhëheqës…është atipik. Kryeministri u jep lëndë atyre për të vënë në dyshim orientimin europian të Shqipërisë. Turqia ka pasur një influencë. Turqia është faktor i jashtëm për Shqipërinë. Turqia duke patur vendin e vet”, tha Milo.

Ndërkohë, analisti Fatos Lubonja tha se fakti që Rama po imiton Erdoganin është shumë i përfolur. “Intervista ka trajtuar çështje që i ka trajtuar me shqiptarët, këtu duket sikur ka bërë një politikë për ti bërë qejfin Erdoganit. Një teori konspiracioni mund të jenë lidhur me faktin se ne aspirojmë Evropën, sikurse dhe Erdogani ka aspiruar Evropën. Ne tani duam të hapim negociata dhe për shkaqet tona jo të Evropës nuk na hapet kjo portë si dhe Turqia, sepse kishte ide të kundërta për hyrjen e saj, ekonomikisht mund të hynte por kishte probleme për të drejtat e njeriut, të fesë myslimane. Tani problemi i bëhet një shantazh Evropës që ‘shiko se ne po kthemi këtej’, Rama tregon që është i gatshëm të përdorë të gjitha ujërat. Ajo që më shqetëson, duket sikur fatet e marrëdhënieve tona, me Turqinë apo një vend tjetër mund të vendosen nga miqësitë apo jo miqësitë e dy liderëve kryesore. Ne kemi Parlament, opozite, kemi institucione, dhe kjo PO qe thotë ky tingëllon si autoritare, pse duhet dialogu atëherë, diplomacia?! Ju e patë Trumpin? Një here tha do takohemi, pastaj jo, pra tha po dhe jo. Dialogu gjen rrugët e mesme”, pohoi Lubonja.

Ndërkohë, dje në një intervistë për Anadolu Agency kryeministri Rama tha se Erdoganin e kishte admiruar prej së largu kush ishte kryetar i Bashkisë së Stambollit.

“Marrëdhënia ime me presidentin (Erdoğan) është një marrëdhënie që ka nisur pa u njohur unë me të, pasi e kam admiruar për së largu punën e tij të jashtëzakonshme si kryetar i Bashkisë së Stambollit dhe rolin transformues që ai ka pasur dhe ka qenë një ndër shembujt që më kanë frymëzuar për atë që kam bërë për Tiranën. Pastaj kam pasur fatin të njihem me të ta vlerësoj së afërmi, një marrëdhënie që është e ngritur mbi respektin reciprok që nuk ka absolutisht asnjë nga ato shenja që shumëkush merr përsipër të ngrejë akuza dhe teori konspiracioni. Mbi të gjitha është një marrëdhënie e veçantë pasi bazohet tek një parim që nuk e gjen shpesh në marrëdhëniet politike dhe diplomatike që ‘po’ është ‘po’ dhe ‘jo’ është ‘jo'””, tha Rama.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: