Pas kërkesës së Prishtinës zyrtare, për të marrë në Kosovë eshtrat e patriotit Hasan Prishtina, ka ardhur reagimi nga familjarë të tij. Stërnipi i patriotit, Mehmet Prishtina deklaron se është kundër idesë së hedhur nga kryeparlamentari Kadri Veseli. Ai shprehet se eshtrat e Hasan Prishtinës nuk duhet të lëvizen nga aty ku prehen.

Në një reagim të botuar sot në Kosovapress, Mehmet Prishtina thotë se Hasan Prishtina e ka vendin aty ku bashkohet kufiri dhe idetë e kombit shqiptar. Përkundër kërkesës për zhvarrosjen e eshtrave, stërnipi i Hasan Prishtinës thotë se autoritetet në Kosovë duhet të angazhohen që hapsira tek varri i tij në Kukës, të rregullohej e të ndërtohet edhe Muzeu i madh i Bashkimit Kombëtar, e jo të tallen në Facebook për kthimin e eshtrave të tij në Kosovë

‘Ata duhet që bashkë me institucionet e shtetit shqiptare, të kujdeseshin që në Vlorën e Pavarësisë krahas shtatoreve të Ismail Qemalit, Isa Boletinit e tjerëve patriot të vendoset edhe Hasan Prishtina në sheshin e flamurit, siç u vendos ne Prishtine e me vone edhe ne Shkup e Tirane, dhe perfundimisht në qytetin shqiptar në Kukës te derdhet në bronz shtati i i shenjte e i shtrenjte i Hasan Prishtines, pasi aty afer e ka edhe varrin, e jo të tallen në Facebook për kthimin e eshtrave të tij në Kosovë.’ -shkruan në reagimin e tij, Mehmet Prishtina, ndërsa thekson se çdo nismë për t’ i lëvizur eshtrat, është vetëm thellim i ndarjes së shqiptarëve dhe mos respekt e mos nderim ndaj figurës dhe doktrinës së Tij hasaniste.

Me rastin e shënimit të 85-vjetorit të vrasjes së heroit Hasan Prishtina, kreu i Kuvendit në Kosovë Kadri Veseli tha, pak ditë më parë, se eshtrat e tij duhet të varrosen me ceremoni shtetërore, afër vendit ku janë varrosur ish-presidenti Ibrahim Rugova, dhe simboli i rezistencës Adem Demaçi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb