TIRANE- Presidentja e Republikës së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović, e cila fitoi zemrat e të gjithëve teksa përqafonte futbollistët e kombëtares, pas finales me Francën në Botërorin 2018, nis sot vizitën shtetërore në Tiranë me ftesë të Presidentit Ilir Meta.

Kryetarja e shtetit të Kroacisë do të pritet me ceremoni shtetërore nga Presidenti Meta, për të vijuar më pas me takimin dypalësh të dy delegacioneve respektive.

Pas takimit të dy Presidentët do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp në praninë e gazetarëve vendas dhe kroatë.

Gjatë vizitës së saj Presidentja e Kroacisë do të pritet në takime të veçanta nga Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe do të mbajë një fjalë përshëndetëse para deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë.

Gjithashtu Presidentja e Kroacisë gjatë qëndrimit në Tiranë do të takohet edhe me Kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Presidentja Grabar-Kitarović do të pritet edhe nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, dhe do të vizitojë qytetin e Durrësit, portin e tij ku edhe do të lancohet projekti kroat për mbrojtjen e mjedisit, atë të Beratit, si dhe qytetin e kalanë e Krujës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb