TIRANE- Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka është paraqitur pasditen e sotme në mbledhjen e Byrosë Parlamentare në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, ku ka paraqitur pretendimet e tij për qëndrimin e sotëm në Parlament. Në mbledhjen e sotme të Byrosë diskutohet kërkesa e Partisë Socialiste për përjashtimin me 10 ditë të deputetit Flamur Noka nga punimet e Kuvendit.

Pas la ambientet e Kryesisë së Kuvendit, deputeti Flamur Noka tha para mediave se ai nuk ka shkelur Rregulloren e Kuvendit, por sipas tij ka qenë kryeministri Rama ai që ka folur me fjalor rruge.

“Turpi i këtij parlamenti sot është të përjashtosh një deputet pse kërkon fjalën për procedurë dhe institucion për një të drejtë të tij, sipas rregullores. Neni 49 pika një e Rregullores së Kuvendit, thotë se kur një deputet kërkon fjalën për procedurë, ajo jepet menjëherë. Ju e patë që deputeti Noka kërkoi fjalën për procedurë, as më pak as më shumë, e vetmja gjë që bëra tepër është që insistova. Dëgjova një kryeministër në sallë që fliste me një zhargon rruge.

Kërkova fjalën për procedurë që t’i kërkoja kreut të Kuvendit që t’i tërhiqte vëmendjen kryeministrit të mos fliste me zhargon rruge, ndërsa ai në vend që ta bënte këtë, përjashtoi deputetin.

Këtë që po e them tani ia paraqita me zë e figurë para Byrosë Parlamentare”, u shpreh Noka.

Sakaq ai shtoi se qëndrimi i opozitës në seancën e nesërme plenare i takon grupit parlamentar të PD.

“Unë nuk kam fyer asnjë njeri, por kam dalë nga ajo sallë i fyer shumë, pasi të drejtën që më ka dhënë rregullorja ma ka mohuar vazhdimisht kryetari i Kuvendit. Nëse e quani fyerje insistimin, e pranoj që paskam bërë fyerje. Fjala rrugaç i drejtohet atij që përdori fjalor rruge në Kuvend, pasi kur jemi në sallë duhet të flasim në mënyrë të kulturuar, dhe jo me fjalor rruge, gjë që e bëri kryeministri. Pëshpëritjen nga pas foltores së Kuvendit e ka ves të vjetër. Dhe kryetari i Parlamentit, pa mbledhur Byronë Parlamentare vendosi të mos pranojë kërkesën e opozitës për përjashtimin e kryeministrit. Qëndrimi për seancën e nesërme i takon grupit parlamentar të PD. Nuk e pranojmë këtë drejtim banditesk të Kuvendit”, theksoi deputeti demokrat Flamur Noka.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: