Vllaznia nuk ka treguar aspak mëshirë në sfidën kundër Lushnjës në takimin e vlefshëm për javën e 28 të Superligës. Shkodranët kanë fituar thellë 4-0 dhe kanë përfituar nga ndalesa e Teutës për rritur diferencën në +3 pikë.

Ndeshja u zhbllokua shumë shpejt, ekzaktësisht në minutën e 6 nga Xhehavir Sukaj. Ende pa marrë veten skuadra mike shkodranët do të shënonin edhe golin e dytë, me anë të Ribajt.

Kur pritej vërshëllima e fundit e pjesës së parë është i përhershmi Xhavahir Sukaj që mahnit nga 60 metra duke realizuar një gol që do të mbahet mend gjatë.

Në pjesën e dytë ekipi i drejtuar nga Ernest Gjoka do të shënonte edhe golin e katërt, me anë të talentit Pusi.

Pas 28 javësh në Superligë, Vllaznia renditet në vendin e 8-t, me 33 pikë, 3 më shumë se Teuta. Ndërsa Lushnja nuk njeh ndryshim prej 13 javësh, duke mbetur në vendin e fundit me 10 pikë.

Vllaznia 4-0 Lushnja

6′, 45+1′ Sukaj, 15′ Ribaj, 82′ Pusi /

Minutë pas minute

82’ Talenti Pusi shënon edhe golin e katërt për shkodranët. Pusi kishte vetëm dy minuta në fushë.

80’ Largohet nga fusha autori i dy golave të shënuara. Sukaj i lë vendin të riut Pusi.

77’ Zëvendësimi i fundit për Lushnjën. Largohet Pepa dhe hyn Meto.

70’ Lushnja kishte një mundësi të mirë për të shënuar, por Pepa nga brenda zone nuk godet si duhet.

63’ Zëvendësimi i parë për Vllazninë. Çinari dhe Kalaja zëvendësohen kokë për kokë.

61’ Zëvendësimi i dytë për Lushnjën. Largohet Branica dhe futet Përgjini.

59’ Mersini dërgon një top për Sukajn në zonë, por largon Kristi Marku.

54’ Largohet Taullau për Lushnjën dhe futet Marku.

48’ Sukaj kishte mundësinë e parë për këtë pjesë para portierit Spaho, por Prençi largoi në minutën e fundit.

46′ Nis pjesa e dytë në Shkodër

Përfundon pjesa e parë

45+1′ Xhevahir Sukaj realizon supergol nga mesi i fushës. Mbresëlënëse

45’ Arbitri i katërt akordon 1 minutë shtesë.

41’ Ribaj nis një kundërsulm të shpejtë për Vllazninë, por e nis topin shumë para ai dhe e nxjerr për rivënie anësore.

39’ Vuçaj pëson një dëmtim të lehtë. Largohet nga fusha ai, por rikthehet dy minuta më vonë

38’ Sukaj kishte një rast shumë të mirë për të shënuar. Sulmuesi godet gabuar nga brenda zonës.

36’ Vllaznia nis një kundërsulm të shpejtë, por Taullau e ndal me një faull taktik. Ndëshkohet me të verdhë lojtari i Lushnjës.

34’ Kroson Mone nga goditja e dënimit dhe topi shkon në kokën e Sefës. Godet lehtë sulmuesi dhe pret portieri Sherri.

29’ Sefa pretendon për një penallti pas një dyluftimi në zonë me Orelesin, por nuk është i këtij mendimi arbitri.

28’ Ka një dëmtim për lojtarin e Lushnjës, Enriko Papa, por fatmirësisht asgjë serioze dhe ai kthehet përsëri në fushë.

26’ Sukaj merr një top të bukur nga mesfusha, por nuk e godet mirë me kokë sulmuesi dhe ndal portieri Spaho.

21’ Kombinim i mirë i Maganit dhe Branicës. Kroson Magani për Sefën dhe sulmuesi gjuan me finte, por pret portieri shkodran dhe më pas largon mbrojtja.

20’ Sefa tentoi të provonte vëmendjen e Sherrit me një goditje nga jashtë zonës, por ishte jashtë kuadratit goditja.

15’ Një asist i përkryer nga Vuçaj, dhe Ribaj shënon përsëri për shkodranët.

6’ Ka gol që në minutat e para, Sukaj mposht portierin Spaho.

1′ Nis takimi në Loro Boriçi

Formacionet zyrtare

VLLAZNIA: Sherri, Gocaj, Berisha, Orelesi, Mersini, Lika, Vucaj, Krymi, Cinari, Ribaj, Sukaj. Trajner: Ernest Gjoka

LUSHNJA: Spaho, Magani, Prenci, Ruco, Mone, Alushi, Taullau, Branica, Papa, Pepa, Sefa. Trajner: Ilir Gjyla

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: