TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili i ka kthyer përgjigje ftesës së socialistëve për t’u bërë bashkë dhe për të votuar ligjin për shkollën e magjistraturës.

Vasili e quan një lojë kungulleshkash dhe thotë se maxhoranca e ka reformën në drejtësi një plaçkë tregu dhe qëllimin e vetëm kapjen e drejtësisë.

Ai thotë se LSI beson vetëm tek parimet e Komisionit të Venecias dhe gjithçka jashtë tyre është riciklimi i pisët i drejtësisë së vjetër, të kapur nga rilindja.

STATUSI I VASILIT
Rilindja luan kungulleshkën me ligjin e magjistraturës.
Rilindja sot e bëri të qartë që Reforma në Drejtësi për të është asgjë më shumë se një pazar i rëndomtë njerëzish të rëndomtë.
Propozoi Rilindja një ligj që jepte fuqi kuvendi të vendoste për shkollën e magjistraturës për 2 vjet. Pastaj në komisionin e (anti) ligjeve ditën e fundit me logjikë ordinerësh e bëri pa afat, ulëriti dhe me demek e argumentoi dhe e votoi.
Sot rilindja propozon për një vit.
Me Kungulleshkë do ta bëjnë drejtësinë. Se kjo kungulleshkë është: themi dy vjet. Po pse dy? Po sa? Pa limit. Po pse pa limit. Po sa? Themi një vit.
Ky është qëndrimi i turpshëm i një maxhorance pazarxhinjsh që Reformën në Drejtësi e ka thjesht një plaçkë tregu dhe qëllimin e vetëm kapjen e drejtësisë.
Cili njeri serioz mund të pranojë një politikë të tillë, që ndërron sipas hallit pozicion tre herë.
Kur thotë pra të vërtetën dhe kur gënjen rilindja?
Po argumentet që rilindja dha në komisionin e (anti)ligjeve, kur hoqën çdo limit kohe dhe votuan si banditë ku shkuan, apo i harruan sikur s’ka ndodhur asgjë?
LSI ka votuar Kushtetutën dhe shtatë ligjet duke besuar te Konsensusi në 140 vota dhe tek Komisioni i Venecias dhe jo tek Rilindja që donte një reformë në drejtësi me vota të blera.
LSI beson vetëm tek parimet e Komisionit të Venecias dhe tek 21-22 korriku gjithçka jashtë tyre është riciklimi i pisët i drejtësisë së vjetër, por të kapur sot fort në grusht nga rilindja.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: