Nga Edi Lesi
Pse solli kaq shume trazim, Gaz Bardhi?
Ditët e fundit, një djalë i ri, i hijshëm me sqime, po dhe me syze ka qenë në krye të një fushate denoncimesh të Partisë Demokratike. Gazment Bardhi është kthyer në një fenomen, veçanërisht për saktësinë e paraqitjes dhe interpretimit të fakteve ligjore dhe juridike.

Kjo duket qartë nga reagimi i publikut, që e ka pritur mirë daljen e këtij politikani të ri, në një ambient të ndenjur analistësh, ku një pjesë e mirë e tyre dredhin tespihet, dhe mendojnë se nuk ka nevojë të lexojnë, të kërkojnë, e sidomos të hetojnë rreth të vërtetës, pasi sipas tyre, mjafton që ata janë ata që janë.

Pra, është boll të jesh muchi, lenchi, s’ke pse i hap zallave krese për të ditur gjërat. Statusi që kane fituar si VIP-a, ua justifikon mendjelehtësinë dhe nganjëherë ata kujtojnë se janë aq gjeni, sa u lejohen dhe budallallëqet, apo fyerjet.

Me këtë lloj bullizmi të dënueshëm, këta analistë marrin para këdo që është i huaj, i ri në ambientin e tyre. Kështu bënë mbrëmë edhe me Bardhin. Por, me një ndërkryerje të pazakontë, se këta medemek janë aq të stërvitur, pasi dalja në TV është një nga vaktet e ditës së tyre, sa duhet ta kontrollojnë nervozizmin, ta tërheqin e lëshojnë sipas kurbës që u intereson.

Por nja 12 orë më parë, ata u çmeritën, u lëshuan fare, dolën nga fiaskoja në një farë feje sa as vetë nuk po mblidhnin dot copat e tërbimit.

Pse?
Bardhi e ka shkundur rehatinë e bosëve të debatit, me standardin që përfaqëson. Me saktësinë e argumentit, dhe me faktet që sjell. Faktet, po faktet. Këto prishin pune, dëmtojnë rendin, mënyrën e tyre të jetesës në një hapësirë ku zakonisht tirren llafe pa fund.

Bardhi, ka prishur rahatinë e bosëve të debatit se ai nuk ka asnjë kompleks në ato që thotë, beson në to, dhe nuk është aspak i detyruar të qëndrojë në ato teza. Ai mbron zgjedhjen që ka bërë. Këtu është superioriteti natyral, mbi dikë që merr të shkruara disa talking points, dhe shfaqet në anën e keqe të historisë.

Me rastin e Bardhit, tërbimi i analistëve të ndenjur, vjen veçanërisht nga ajo se, nuk gjetën një vjege ku ta godasin personalisht, me gjithë hetimet që kanë bëre. Nuk kanë ku e kapin.

Kjo është një diferencë e madhe, në një ambient sedentar mendimtarësh ku pasanikë të mëdhenj shumë, shpesh dhe miliarderë, të gjithë të dyshimtë, flasin për parime, për drejtësi, flasin madje dhe në emër të popullit.

Këto rrethana sollën tërbimin mbrëmë në opinion, ku titanë të vizioneve dhe ideve, përfunduan si lacë lagjesh duke sharë me fjalor si; kërriç, palaço, sat ëme, e deri duke i përmendur z.Bardhi, një defekt në shikimin e tij, siç shumë njerëz e kanë, pra duke e sharë nga syzet.

Këta mujsharë që ushtrojnë këtë bullizëm, kanë shkuar aq larg në mendjemadhësinë e tyre, sa për asnjë moment nuk reflektojnë për të kuptuar se të jesh në një studio, në një emision me audiencë të lartë si Opinion, është privilegj i madh, është po ashtu përgjegjësi publike, pasi të është dhënë mundësia që pak vetë e kanë, për të komunikuar me dhjetëra mijë qytetarë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb