Nga: BESNIK BAKIU*

Si sot 103 vite më parë me vendimin e Konferencës së Ambasadorëve në Londër u bë njohja “de jure” e shtetit shqiptar. Ky akt përbën dokumentin themelor ndërkombëtar të krijimit të shtetit shqiptar dhe të njohjes së pavarësisë së mbikëqyrur të Shqipërisë nga gjashtë Fuqitë e Mëdha të kohës: Austro-Hungaria, Italia, Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe Gjermania. Ky akt iu bashkëngjit aktit të brendshëm të pavarësimit të Shqipërisë, të shpallur më 28 nëntor 1912.
Me këtë vendim, Konferenca e Ambasadorëve të Londrës, ndryshoi vendimin saj të 17 dhjetorit 1912, ku Shqipërisë i njihej “Autonomi e garantuar dhe e kontrolluar ekskluzivisht nga të gjashta Fuqitë në sovranitetin ose suzerenitetin e Sulltanit” dhe vendosi të formonte Shqipërinë “si një principatë autonome, sovrane… nën garancinë e të gjashta Fuqive”. Në jurisprudencë njohja de jure ka kuptimin e një njohje të qëndrueshme, të plotë dhe përfundimtare.
Megjithëse ky vendim i kësaj konference nuk njohu shtetin e pavarur shqiptar të shpallur në Kuvendin e Vlorës nga Etërit e kombit modern shqiptar, por një shtet të tkurrur në gati gjysmën e territoreve të tij, ai përsëri ka rendësi se hapi rrugën e parë drejt njohjes së të drejtave të kombit shqiptar.
Fuqitë e Mëdha kishin rezerva për sa i takonte të ardhmes së statusit të shtetit shqiptar. E njohën si subjekt të së drejtës ndërkombëtare, e pranuan në bashkësinë e shteteve të kohës dhe vendosën marrëdhënie diplomatike, por i imponuan atij një varg detyrimesh dhe kushtesh jo vetëm për t’u siguruar rreth aftësive të tij për të ecur drejt të ardhmes politike, por edhe për ta mbajtur nën një kontroll e mbikëqyrje institucionale juridiko-ndërkombëtare.
Shteti shqiptar i sapoformuar u vendos nën sundimin e një princi të përzgjedhur nga Fuqitë e Mëdha dhe ishin këto fuqi, që nëpërmjet Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit do të drejtonin, mbikëqyrnin, kujdeseshin për shtetin e ri për një periudhë dhjetëvjeçare. Ky institucion ndërkombëtar në bashkëpunim me pushtetin që i jepej princit, si kryetar i shtetit dhe njëkohësisht mishërues i pushtetit ekzekutiv (të cilin ai e ushtronte përmes kryeministrit), do të përbënin autoritetin më të lartë vendimmarrës politik në Principatën e Shqipërisë. Ishin gjashtë Fuqitë e Mëdha, ato që garantonin statusin, integritetin dhe neutralitetin e shtetit të ri, detyrë që ato në fakt nuk arritën ta përmbushnin, për një sërë rrethanash ndërkombëtare dhe arsyesh të brendshme shqiptare.
Gjithashtu, Fuqitë e Mëdha i rezervuan vetes të drejtën që të ngrinin strukturat shtetërore dhe të organizonin jetën, veprimtarinë politike, ekonomike, sociale, politikën e brendshme e të jashtme, ndërtimin e ushtrisë, xhandarmërisë, hartimin dhe miratimin e kushtetutës, Statutit të Përkohshëm etj., të Shqipërisë së pavarur, duke e kthyer në fiktive pavarësinë e saj.
Këto kufizime ishin asfiksuese për atributet sovrane, specifikë e të domosdoshme për një shtet të pavarur dhe subjekt i së drejtës ndërkombëtare.
Njohja de jure e shtetit shqiptar përkonte me përpjekjet e Fuqive të Mëdha të kohës për të gjetur kompromisin midis shteteve pjesëmarrëse dhe për të stabilizuar gjeopolitikisht Ballkanin e trazuar nga luftërat. Konferencës së Ambasadorëve ju deshën më shumë se tetë muaj diskutime, për të vendosur për projektet dhe për të bërë rregullimet e nevojshme! Vështirësia qëndronte se projektet bazë qëndronin shumë larg njëri-tjetrit dhe kompromisi ishte mjaft i vështirë.
Aq e vështirë ka qenë kjo konferencë, sa sot e kësaj dite e kujtojmë si të veçantë, atë çfarë bënë të gjithë personazhet e historisë që do të merreshin me administrimin e Shqipërisë. Madje, edhe vetë fuqitë evropiane e patën shumë të vështirë. Mes tyre, kujtojmë suedezët që u tërhoqën menjëherë nga administrimi për t’ua lënë barrën e administrimit xhandarmërisë holandezëve. Ministri amerikan në Greqi në atë kohë do ta quante këtë plan “një mrekulli e paaftësisë”, “një skemë absolutisht të papajtueshme”, “një lëmsh gjërash të paqëndrueshme”.
Përballë këtyre vështirësive, Konferenca e Londrës e shty vendimin përfundimtar për statusin e Shqipërisë nga njëra mbledhje në tjetrën, pa arritur në një vendim përfundimtar. Evoluimi i ngjarjeve në terren ndikojë në ndryshimet dhe zhvendosjet e pozicioneve fillestare dhe sidomos në pranverën e vitit 1913, problemi i statusit morri këndvështrime të reja. Më 30 maj 1913 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër nënshkruhet Traktati i Paqes, i cili për çështjen shqiptare është akti i dytë i rëndësishëm pas vendimit të 17 dhjetorit 1912. Me këtë traktat Perandoria Osmane detyrohej të hiqte dorë nga të drejtat sovrane mbi Shqipërinë, shtetet ballkanike shkurajoheshin të vijonin veprimtarinë e mëtejshme copëtuese mbi tokat shqiptare, mbasi tashmë do ishin gjashtë Fuqitë e Mëdha, ato që do të vendosnin mbi të gjitha çështjet që lidheshin me statusin e Shqipërisë, organizimin e saj të brendshëm dhe përcaktimin e kufijve. Ky traktat ishte i pari akt ndërkombëtar, që e shprehu idenë e një shteti shqiptar më vete, megjithëse në një formë ende të papërcaktuar.
Çështja shqiptare u përcaktua nën prizmin e shmangies së një ballafaqimi mes Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Austro-Hungaria u gjend përballë faktit të kryer të ndryshimit të status quo-së ballkanike në dëm të saj dhe në të mirë të Serbisë, Malit të Zi, Greqisë, prapa të cilave qëndronte, në fund të fundit, Rusia. Për të kompensuar këtë, perandoria dualiste me mbështetjen e pasigurt të Italisë, vendosi të vinte tanimë në jetë planin e kahershëm për krijimin e shtetit të Shqipërisë autonome (më vonë të pavarur), që do të duhej të kishte kufij sa “më të mëdhenj që të ishte e mundur”.
Trajtimi i problemit të kufirit të shtetit të ri shqiptar nuk u mbështet në konsiderata etnografike, historike, ekonomike etj., por u bë nga Fuqitë e Mëdha nën prizmin e mos prishjes së “Koncertit Evropian”. E drejta e Serbisë mbi Kosovën (e pretenduar edhe sot kur Kosova është shkëputur juridikisht dhe faktikisht nga Serbia) dhe e Greqisë mbi Çamërinë dhe territoret e tjera shqiptare në juglindje, ishin rezultat i fitimit të këtyre territoreve si plaçkë lufte dhe të sanksionuar ndërkombëtarisht nga një institucion, i cili në thelbin e punës së vet asokohe nuk kishte parimet e sotme bazë demokratike që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare.
Veprimtaria e shteteve ballkanike dhe e Fuqive të Mëdha në realizimin e këtij vendimi u ndihmua nga gjendja në të cilën ndodhej shoqëria shqiptare e asaj kohe. Pushtimi pesëshekullor otoman kishte konservuar konservatorizmin mesjetar dhe ruralizimin e shoqërisë. Shqipëria vuante nga mospasja e një grupimi shoqëror të emancipuar, vuante nga ekzistenca e një klase bejlerësh që e kishte pak të zhvilluar ndjenjën e përgjegjësisë kombëtare dhe rendte ende me fantazmat e ruajtjes së çifligjeve personale të dhuruara. Forcat e emancipuara liberale e pro-evropiane të shoqërisë shqiptare ishin minorancë gati të pafuqishme për të ndërmarrë nisma që thyenin tabutë konservative të një shoqërie të sapodalë në liri. Kjo liri e brishtë, e shoqëruar me cungime të rëndësishme territoriale, të sanksionuara edhe me marrëveshje ndërkombëtare, e ndjekur hap pas hapi nga etja e shfrenuar e fqinjëve grabitqarë, e kishte çorientuar kahun e drejtimit përparimtar të kësaj shoqërie, e kishte lënë atë preh dhe të pambrojtur nga aventurierët që në atë kohë (pse jo, edhe më pas), ishin me shumicë.
Çështja e Shqipërisë u zgjidh pa respektin më të vogël ndaj shqiptarëve dhe kufiri i shtetit të ri shqiptar u përcaktua vetëm nën prizmin e shmangies së një ballafaqimi mes Austro-Hungarisë dhe Rusisë, për të cilin shqiptarët nuk ishin fajtorë dhe nuk kishin të bënin fare me të.
Ishte kriminal qëndrimi i Fuqive të Mëdha të asaj kohe, që në vend t’i hapnin poret jetësore një kombi në rrugën e tij për ripërtëritje qytetare e kombëtare, e cunguan atë territorialisht, i këputën arteriet jetësore dhe ushqyen faktorët që bëjnë lehtësisht të manipulueshëm dhe të kontrollueshëm një popull të penguar historikisht në rrugën e tij të zhvillimit.
Ishin këto padrejtësi historike, që do të sillnin ndeshje, gjak, mëri, dhunë dhe lot deri në fillimin e shekullit të XXI, që detyruan Imzot Gjergj Fishtën të akuzoj: “Uh! Evropë, ti kurva e motit!/Që i re mohit, besës së Zotit!/Po, á ky asht sheji i qytetnisë?/Me da token e Shqypnisë”.
Por siç thotë një fjalë e urtë “e drejta vonon, por nuk harron”. Duhej të vinte fundi i shekullit të XX, kur situata gjeopolitike e Evropës Juglindore të ndryshonte. Demokratizimi i kësaj pjesë të Evropës, mundësoj jo vetëm çlirimin e Shqipërisë nga diktatura komuniste, por krijoj një entitet të ri në Ballkan, “Republikën e Kosovës”, si vend sovran, të lirë dhe demokratizuar, të cilin shqiptarëve ua lanë jashtë në Londrën e vitit 1913. Kjo republikë e re në Ballkan (me gjithë problematikat e shumta që ka me serbët dhe mes vedi) po përpiqet të përparojnë në liri, demokratizim dhe evropianizim. Po ashtu edhe problemi çam nga “tabu”, është kthyer në temën e ditës në bisedimet ndërkombëtare dhe rezoluta të parlamentit.
Sot pas 103 viteve ndarjeje, shqiptarët janë një faktor i pranuar nga Evropa në procesin e njohjes së vlerave perëndimore të Lirisë, demokratizimit dhe perëndimëzimit. Kombit tonë i janë hapur mundësitë për të shfrytëzuar këtë rast për ta bashkuar atdheun e tyre në një Evropë të të njëjta vlerave. Perëndimi duke bërë këtë, ka korrigjuar përgjithësisht jo vetëm parimet mbi bazën e të cilave u ndanë popujt në fillimet e shekullit XX, por veçanërisht ka korrigjuar edhe një padrejtësi të bërë ndaj një prej popujve më të vjetër e më të vuajtur të Ballkanit Perëndimor, shqiptarëve.
Është detyrë e klasës politike shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc ta shfrytëzojë këtë fat, për të shlyer borxhin që thotë poeti “i kam borxh vitit 13, që s’i mbylla plagët”, duke u hartuar politika të përbashkëta integruese në të gjitha fushat. Por, kjo në radhë të parë kërkon të merren vesh mes vedi, pasi është e turpshme, për mos të thënë antikombëtare urrejtja, akuzat, mosmarrëveshjet dhe mëria që kanë liderët politik ndaj njëri-tjetrit.
Sot është koha për bashkim nëpërmjet integrimit, nesër do të jetë vonë.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: