Nga: ERION KAÇORRI, Kilis, Turqi*
Turqia, ky vend me 3 milionë refugjatë lufte nga Siria, duket e harruar nga Perëndimi, e lënë që të përballet e vetme me barrën e madhe që do të kishte rraskapitur edhe vendet më të zhvilluara të Europës. Në një prej kampeve të refugjatëve në Kilis, qytezë e vogël turke që ndodhet vetëm 7 kilometra nga kufiri me Alepon në Siri, të cilën pata mundësinë ta vizitoj nga afër, janë strehuar mbi 25.000 refugjatë sirianë, por në të gjitha kampet së bashku ndodhen 120.000 refugjatë. Kilis është ndalesa e parë e refugjatëve sirianë të cilët largohen nga Alepoja e pushtuar nga terroristët e ISIS-it.

Duhet theksuar se është nga të paktat raste kur numri i refugjatëve është më i madh se ai i banorëve vendas, të cilët nuk i kalojnë 90 mijë vetë, por duket se ky fakt nuk i ka shqetësuar shumë vendasit, të cilët, pavarësisht vështirësive të shumta ekonomike, duke qenë një zonë shumë larg pjesëve më të zhvilluara të Turqisë, i kanë pritur ngrohtë fqinjët e tyre. Nuk i quajnë refugjatë, por miq. E kanë për turp që ata të konsiderohen si refugjatë, ndaj me gjithë problemet e veta, u kanë krijuar atyre kushtet e duhura që ata të ndihen si në shtëpi. Brenda gardhit me kabina të ruajtura nga shumë forca policore, mund të gjesh një mini-qytezë të vogël, me një treg, shkolla, klinikë mjekësore, lavanderi, qendër kompjuterike dhe qendër arti, të cilat financohen nga qeveria turke.

“Në këtë kamp kemi një kopsht dhe pesë shkolla: dy fillore, një tetëvjeçare dhe një të mesme. Përpos kësaj kemi edhe një shkollë të gjuhës turke, për të mësuar veçanërisht fëmijët dhe të rinjtë të cilët në të ardhmen do të donin të merrnin arsimin e lartë në universitetet turke. Kemi parashikuar që pas përfundimit të luftës, ata emigrantë të cilët dëshirojnë të kthehen, mund ta bëjnë këtë, por për momentin situata në Siri vazhdon të jetë e tmerrshme. Askush nuk dëshiron të kthehet atje”, – shprehet sekretari për shtypin në kampin e refugjatëve të Kilis, Orhan Javid Urbuz.

Sipas tij, qeveria turke ofron nga 85 lira turke (rreth 25 euro) në muaj për ushqim për çdo familje, ushqime të cilat mund të blihen në tregun e ngritur nga autoritetet e kampit. Ndërsa kryetari i Bashkisë së Kilis, Hasan Kara deklaron se, pavarësisht nëse Europa do të vendosë t’i ndihmojë ose jo financiarisht ata, dyert do të mbeten të hapura për të gjithë fqinjët e tyre të cilët po kalojnë kohë të vështira në vendin e lindjes.

“Vetëm 7 kilometra na ndajnë nga mizoritë dhe ferri. Burra, gra dhe fëmijë kanë ikur nga lufta, e cila ka vrarë njerëzit e tyre të dashur dhe shkatërruar plotësisht shtëpitë e tyre”, – deklaron kryetari i Bashkisë së Kilis, Hasan Kara, në rezidencën e tij në qendër të qytetit, që këtë vit është goditur nga dhjetëra raketa nga militantët e Shtetit Islamik. Fatma Shahin, ish-ministrja që tashmë është kryetare e Bashkisë së Gaziantepit, qytetit të njohur industrial të Turqisë, deklaron se problemet janë të shumta, por Turqia do të vazhdojë t’i ndihmojë fqinjët e vet sirianë.

“Kishim dy opsione: të mbyllnim kufijtë tanë, siç po bën shumica e vendeve evropiane, duke lënë pa mbrojtje gratë dhe fëmijët, ose të vazhdonim me politikën e dyerve të hapura. Ne vendosëm për këtë të dytën, duke ofruar strehim për tre milionë refugjatë, pavarësisht dështimit të komunitetit ndërkombëtar për të ofruar ndihmën e duhur ndaj Turqisë”, – shprehet Shahin për “Gazeta Shqiptare”.

Qeveria turke së fundi ka nominuar qytezën e Kilis për çmimin Nobel për paqe për mikpritjen e saj, duke e përshkruar atë si një shembull që bota duhet ta njohë. Në propozimin e tij, Ajhan Sefer Ustun, nënkryetari i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, thekson se njerëzit kanë ndarë punën e tyre, shtëpitë, tregun dhe hapësirat sociale me refugjatët sirianë. Por më shumë sesa çmimin Nobel për paqen, drejtuesit dhe banorët e qytezës kërkojnë mbështetjen morale dhe financiare për ta përballuar me sukses këtë sfidë, që konsiderohet më e rënda që pas Luftës së Dytë Botërore.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb