Nga: FATOS ÇOÇOLI*

Reforma në drejtësi nënkupton të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe ajo nuk duhet të dështojë. Votimi i 21 korrikut ishte një arritje e madhe, por ama vetëm nisja e ndryshimit, jo vetë ndryshimi, reforma e mirëfilltë. Të shtatë ligjet shoqëruese që sigurojnë zbatimin e reformës, sidomos ai për vetingun(rivlerësimin nga ana e ekspertëve ndërkombëtarë të gjyqtarëve dhe prokurorëve tanë), por edhe për ndryshimet në organizimin e Gjykatës Kushtetuese, në statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, në riorganizimin e institucioneve të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe për riorganizimin e pushtetit gjyqësor dhe të prokurorisë, presin të miratohen. Ambasadorët e SHBA-ve dhe të Bashkimit Evropian në Shqipëri rizbarkuan dje në zyrat kryesore të Kuvendit. Data 11 gusht është miratimi ligjor i ndryshimeve kushtetuese të 21 korrikut 2016. Një ditë më vonë, më 12 gusht, superambasadorët kërkuan miratimin e shtatë ligjeve që mundësojnë realizimin e reformës në drejtësi. Nëpërmjet deklaratave të forta si të SHBA-ve dhe të Bashkimit Evropian. Po pse janë superambasadorë, figura shtetërore mbi përfaqësuesit e zakonshëm të një shteti mik dhe aleat? Sepse përveç detyrës së tyre, rregullave diplomatike dhe etikës, kanë vënë edhe zemrën, në dobi të misionit për të garantuar një reformë që e gjykojnë jetike për të ardhmen evropiane të Shqipërisë, të të gjithë neve. Ky investim personal është miratuar plotësisht dhe në linjë me interesin strategjik si të SHBA-ve, dhe të Bashkimit Evropian. Kjo ka sjellë një përzierje, një alkimi që deri tani ka rezultuar e patjetërsueshme nga tekat dhe stërkëmbëshat e politikës partiake dritëshkurtër shqiptare. Kjo alkimi po qëndron e fortë ndaj çdo barrikade që i është shpikur apo prodhuar e plotë reformës në drejtësi në këto një vit e gjysmë përpjekje, ndaj çdo thashethemi mediatik dhe sulmit baltosës personal mjeran ndaj tyre, i kryer prej mortajave online që mbështesin politikën partiake dritëshkurtër. Kjo alkimi e ka provuar të jetë tërësisht në dobi të interesave tona si qytetarë. Më 21 korrik fitimtarët e vërtetë ishim ne, qytetarët e këtij vendi që duam drejtësi në parametrat evropiane dhe të një demokracie të konsoliduar. Prandaj dhe alkimia Lu-Vlahutin duhet mbështetur shpejt, fort dhe masivisht me manifestime, me dalje nëpër rrugë. Duket si mision i pamundur tani në mes të kësaj vape, ku shumica jonë freskohen në brigjet e Jonit dhe Adriatikut. Mirëpo përgëzimet dhe vlerësimet e çdo titullari në këtë vend, apo edhe e qytetarëve të thjeshtë që kanë rastin të takojnë apo t’u afrohen dy superambasadorëve, nuk mjaftojnë. Në misionin e tyre, ata kanë nevojë për mbështetjen e dukshme dhe të dëgjueshme të të gjithëve ne. Dhe 12 gushti është vetëm dy javë kohë larg. Ia vlen të organizohemi, edhe pse më të paktë të mbetur në Tiranë. Jo përmes partive politike, madje as edhe përmes shoqatave joqeveritare. Këto të fundit nuk kanë arritur kurrë, edhe në rastin më të mirë, të mbledhin më shumë se 15-20 veta nëpër sheshe apo rrugë kryesore, edhe pse nuk kanë vjelë pak para donatorësh. Na nevojitet një organizim si ai kundër armëve kimike nga Siria, krejt spontan, përmes thirrjeve dhe lënies së takimeve nëpërmjet rrjeteve sociale. Na nevojiten një ose disa qytetarë të përgjegjshëm të tipit Sazan Guri që të bëhen zëdhënës të një lëvizjeje qytetare pro punës së dy superambasadorëve për reformën në drejtësi. Do të arrijmë ta bëjmë, të vetorganizohemi? Kështu të zhytur si jemi mes zhgënjimit nga politika, mosbesimit dhe indiferencës vrastare, duket si mision i pamundur. Por në rastin e betejës disaditore kundër armëve siriane funksionoi. Tani që alkimia Lu-Vlahutin po na sjell kaq afër ndërtimit të një shteti realisht të së drejtës, aq afër aspiratave tona për të jetuar si evropianë, çfarë do të bëjmë? Sehir, sikurse kemi bërë pothuajse gjithmonë, duke e lënë politikën partiake dritëshkurtër të luajë sovranin në këtë vend?.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb