Nga: RUDINA HOXHA*
Në një intervistë të parë për shtypin shqiptar, ambasadorja kroate në Shqipëri, Sanja Bujas-Juraga, një avokate me profesion dhe me një eksperiencë prej 23 vitesh në diplomaci, nënvizon se ndihet shumë pranë Shqipërisë në sajë të lidhjeve të forta të hershme midis dy vendeve tona, por edhe në sajë të miqësisë së çiltër, që ekziston midis Shqipërisë dhe Kroacisë. Ajo duket se e ka nisur punën aty ku çalon. “Ekonomitë tona janë të pajtueshme në kaq mënyra dhe ne duhet t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë. Me qëllim lehtësimin e arritjes së këtij qëllimi, ne kemi nevojë për vendosjen e një linje direkte fluturimi Zagreb-Tiranë, por edhe vendosjen e një lidhjeje detare. Ne jemi në procesin e negocimit të rrugëve të anijeve-traget midis porteve të Kroacisë dhe Durrësit. Këto lidhje do t’u vinin shumë në ndihmë marrëdhënieve të biznesit midis dy vendeve tona, por edhe turizmit”, tha ambasadorja në këtë intervistë për “Gazeta Shqiptare”. Ajo e quan sfidën e saj më të madhe “të mobilizojë sektorë të ndryshëm apo shoqëritë tona, autoritetet lokale dhe komunitetet e biznesit për t’u përfshirë në zhvillimin e bashkëpunimit tonë bilateral me rezultate të matshme dhe të dukshme”. Bujas-Juraga thotë se Kroacia po i ndjen frytet e hyrjes në BE, ndërsa nënvizon se vendi i saj ka mundësinë më të mirë të ndihmojë Shqipërinë në këtë aspekt me njohuritë dhe eksperiencën e saj. Sipas saj, miratimi dhe fillimi i zbatimit të reformës në drejtësi është një pikë kyçe për fillimin e negociatave të vendit me BE-në.
Zj.ambasadore, ju lutem a mund të na bëni një prezantim të shkurtër tuajin?
Unë vij nga qyteti i bukur Dalmacian i Šibenik-ut. U vendosa në Zagreb kur u regjistrova në Fakultetin e Juridikut. Ndërkohë, për mua dhe familjen time, Zagrebi u kthye në vendlindjen tonë. Bashkëshorti im është profesor universiteti. Dy fëmijët tanë janë të rritur dhe kanë tashmë profesionet dhe familjet e tyre. Megjithatë, thellë në zemrën time, jam ende shumë e lidhur me rrënjët e mia dalmaciane. Unë punoj si diplomate profesioniste prej 23 vitesh, që kur iu bashkova Ministrisë së Punëve të Jashtme kroate së bashku me një grup kolegësh, të cilët kishin një dëshirë të fortë për të ndihmuar në ndërtimin e institucioneve shtetërore kroate. Ne e nisëm pa pasur ndonjë njohuri praktike për diplomacinë. Ato ishin kohëra të vështira, por në të njëjtën kohë edhe të paharruara.
Cilat janë përshtypjet tuaja për Shqipërinë? A u plotësuan pritshmëritë e tuaja për vendin tonë?
Mora postin e ambasadores së Kroacisë në Shqipëri në fillim të këtij viti. Të vija në Shqipëri, mu duk sikur po vija në një vend të njohur për shkak të lidhjeve tona historike në sajë të detit të bukur Adriatik që na lidh dhe mbi të gjitha, për shkak të miqësisë së sinqertë midis dy kombeve tona, për të cilën jam shumë e ndërgjegjshme. Që nga mbërritja ime këtu, ndjenjat dhe pritshmëritë e mia pozitive janë konfirmuar në shumë mënyra. Mund të shikoj shumë ngjashmëri në mentalitetin dhe shpirtin kulturor të dy kombeve tona. Gjithashtu, mikpritja e shqiptarëve është kaq unike dhe përfshirëse, në atë shkallë sa më ka bërë të ndihem si një qytetare e Tiranës. Është një nder i madh për mua të përfaqësoj vendin tim në Republikën e Shqipërisë. Kroacia dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale, të bazuara në transparencë dhe çiltërsi. Nuk ka asnjë çështje të hapur midis nesh. Megjithatë, është një sfidë e madhe për mua që të mobilizoj sektorë të ndryshëm apo shoqëritë tona, autoritetet lokale dhe komunitetet e biznesit për t’u përfshirë në zhvillimin e bashkëpunimit tonë bilateral me rezultate të matshme dhe të dukshme.
Shqipëria dhe Kroacia vendosën marrëdhëniet dypalëshe shumë vite më parë. Po sot si janë këto marrëdhënie?
Marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve tona u vendosën në gusht të 1992-shit, pas shpalljes së pavarësisë së Kroacisë. Lëvizja jonë për pavarësi u përputh në kohë me proceset e rënies së komunizmit në Shqipëri. Këto ishin kohëra të turbullta për të dyja vendet tona, me domethënien më të madhe historike për të ardhmen e dy kombeve tona. Duke pasur parasysh miqësinë tradicionale midis dy popujve tanë, ne kemi qenë dashamirës dhe mbështetës të njëri-tjetrit që nga ajo kohë. Ne patëm të njëjtat prioritete sa i takon politikës së jashtme që nga fillimi – anëtarësimi në NATO dhe në BE. Të dy vendet tona iu bashkuan NATO-s në 2009 dhe kemi bashkëpunuar me sukses në kuadrin e kësaj organizate dhe misioneve të ndryshme paqeruajtëse që nga ajo kohë. Kroacia ka qenë një mbështetëse shumë e fortë e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së që nga fillimi dhe ende është një nga mbështetëset më të forta të zgjerimit të BE-së në Bruksel. Ne interesohemi për Shqipërinë dhe zhvillimet në këtë vend. Tani ne po u kushtojmë vëmendjen më të madhe proceseve që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi. Për hatër të qytetarëve shqiptarë si dhe për hatër të stabilitetit dhe zhvillimit të këtij vendi të bukur, ne jemi shumë shpresues se do të ketë një zhvillim në mosmarrëveshjet aktuale të brendshme midis partive politike në vend dhe urtësi të mjaftueshme nga ana e të gjithë palëve të interesuara për të miratuar dhe filluar zbatimin e reformës në drejtësi. Pa u vonuar patjetër, sepse humbja e një mundësie të tillë do të çojë në vonesa sa u takon fillimit të bisedimeve me BE-në dhe kjo patjetër do të jetë e dëmshme për zhvillimin e vendit.
Po në nivel shkëmbimesh të vizitave të nivelit të lartë midis dy vendeve tona, çfarë mund të na thoni?
Do të doja të nënvizoja se ne kemi një shkëmbim intensiv të vizitave bilaterale të nivelit më të lartë. Dy muaj më parë, Presidenti Nishani vizitoi zyrtarisht Kroacinë dhe bisedimet me Presidenten Grabar-Kitarović dhe përfaqësues të tjerë të lartë kroatë ishin shumë të suksesshme. Disa ditë më vonë, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro Furxhi vizitoi Kroacinë dhe ajo nënshkroi një Program mbi Bashkëpunimin Kulturor me palën tonë, sa u takon kuadrove specifikë të bashkëpunimit. Për shembull, në restaurimin e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, por edhe në lançimin e bashkëpunimit midis Teatrit Kombëtar Kroat në Zagreb dhe Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë. Ekspertët kroatë kanë qenë shumë aktivë në projektet e binjakëzimit të BE-së, duke ofruar ndihmë teknike për autoritetet shqiptare. Ne jemi shumë krenarë për këtë. Ashtu siç ngjau, Kroacia është anëtarja më e re e BE-së dhe me eksperiencën më të freskët lidhur me anëtarësimin në BE dhe ky fakt është epërsia jonë. Ne po bëjmë më të mirën tonë për të transferuar njohuritë tona dhe eksperiencën tonë tek autoritetet shqiptare. Ekonomikisht, dy vendet tona nuk janë shumë të fuqishme, por ne mund t’i ofrojmë shumë më shumë njëri-tjetrit se sa po bëjmë tani. Patjetër që ka vend për intensifikim të bashkëpunimit tonë ekonomik. Ekziston një potencial i madh për këtë gjë, sepse ekonomitë tona janë të pajtueshme në kaq mënyra dhe ne duhet t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë. Me qëllim lehtësimin e arritjes së këtij qëllimi, ne kemi nevojë për vendosjen e një linje direkte fluturimi Zagreb-Tiranë, por edhe vendosjen e një lidhjeje detare. Ne jemi në procesin e negocimit të rrugëve të anijeve-traget midis porteve të Kroacisë dhe Durrësit. Këto lidhje do t’u vinin shumë në ndihmë marrëdhënieve të biznesit midis dy vendeve tona, por edhe turizmit. Prioriteti im i parë dhe më kryesori është të inicioj ndryshimet e nevojshme si në shkëmbimet tregtare, investime, ndërmarrje të përbashkëta apo bashkëpunim kulturor. Për t’ia dalë mbanë në këtë drejtim, ne patjetër që kemi nevojë për lidhje trafiku më të mira.
Cila është eksperienca e Kroacisë në NATO në këto 7 vite? Si po bashkëpunoni me Shqipërinë në këtë kontekst?
Anëtarësimi në NATO ishte një nga prioritetet strategjike kyçe për të dyja vendet tona. Ne e arritëm këtë qëllim shtatë vite më parë, duke u bërë së bashku anëtare me të drejta të plota të NATO-s. Që nga ajo kohë, mjedisi i sigurimit ka ndryshuar shumë dhe të qenurit nën ombrellën e NATO-s është sot shumë e rëndësishme për sigurinë dhe stabilitetin tonë. Në të njëjtën kohë, ne nuk duhet ta konsiderojmë NATO-n vetëm si një ofrues përfitimesh. Është përgjegjësia e përbashkët e të gjithë aleatëve për të kontribuar ndaj paqes dhe sigurisë dhe mbrojtur vlerat e Aleancës së NATO-s. Ne nuk duhet të harrojmë se NATO është një organizatë politike dhe ushtarake dhe aleatët e saj janë të përkushtuar ndaj lirisë individuale, demokracisë, drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit. Këto vlera janë në qendër të lidhjes transatlantike të NATO-s. Çështjet e sigurisë janë rritur këto vitet e fundit. Sot përgjegjësia më e madhe e Aleancës është përsëri mbrojtja e territorit të NATO-s dhe popullatave. Të gjithë këto elemente ishin edhe në fokus të Samitit të Varshavës. Partneritetet do të mbesin instrumentet më të përshtatshme për të vepruar së bashku në misionet dhe operacionet e paqes dhe krijimin e një rrjeti global për të trajtuar kërcënimet si terrorizmi dhe përhapja e armëve të shkatërrimit në masë. Sa i takon fqinjësisë sonë, Shqipëria dhe Kroacia janë ndër mbështetësit më të mëdhenj të Politikës së Dyerve të Hapura, duke pasur një mirëkuptim të përbashkët se stabiliteti i këtij rajoni ka shumë lidhje me përfshirjen e plotë të Europës Juglindore në organizatat euroatlantike. Si një histori e madhe suksesi, ne e shikojmë Malin e Zi dhe patjetër edhe zërat e dy vendeve tona lidhur me rëndësinë gjeo-strategjike ndaj Aleancës për ta pasur Malin e ZI në NATO si një kontribuues ndaj këtij suksesi. Kroacia dhe Shqipëria do të vazhdojnë të shtyjnë përpara këtë axhendë për vendet e tjera që do të duan t’i bashkohen NATO-s. Në këtë fazë, do të doja të përmendja Republikën e Kosovës, e cila po bën përpjekje të mëdha dhe po shpreh një vullnet të fortë dhe angazhim për t’iu bashkuar iniciativave si Karta e Adriatikut. Kjo iniciativë po ofron bashkëpunim dhe shkëmbim pikëpamjesh si dhe aktivitete që kontribuojnë ndaj stabilitetit të Europës Juglindore. Padyshim është një qëllim i përbashkët kroato-shqiptar për të mbështetur Kosovën dhe ne nuk do të heqim dorë nga kjo gjë.
A janë duke u plotësuar pritshmëritë e Kroacisë ndaj BE-së? A ka aty këtu edhe zhgënjim?
Anëtarësimi i Kroacisë në BE është një ëndërr e bërë realitet, ashtu si edhe anëtarësimi ynë në NATO. Ne jemi krenarë që jemi pjesë e BE-së në çdo aspekt, sidomos në proceset e vendimmarrjes dhe krijimin e politikave të përbashkëta europiane. BE-ja është një strukturë e ndërlikuar aq sa ne dimë, por kemi arritur t’i zotërojmë gradualisht formatet operacionale, ndërsa zyrtarët dhe ekspertët tanë ndihen si në shtëpinë e tyre në Bruksel tashmë. Efikasiteti i bashkëpunimit tonë me institucionet e BE-së aplikohet gjithnjë e më shumë në përdorimin e fondeve “të famshme” të BE-së si në nivel kombëtar, edhe lokal. Për t’ju përgjigjur pyetjes suaj specifike, përgjigjja është: Po, pritshmëritë tona janë plotësuar. Ne e kemi ditur gjatë gjithë kohës se çfarë përfaqësonte anëtarësimi në BE. Gjërat po ndryshojnë në Kroaci falë anëtarësimit në BE në shumë mënyra pozitive. Megjithatë, tranzicioni nuk ndodh brenda natës dhe patjetër do të dojë edhe ca vite të tjera për shoqërinë dhe institucionet tona për t’u prezantuar me të ashtuquajturat standarde europiane në të gjitha sferat. Padyshim, ne po shkojmë drejt kësaj gjëje.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb