NGA ERMELINDA HOXHAJ*

Duke filluar nga nesër, maturantët mund të bëjnë pagesën e faturës së aplikimit për të garuar në universitet, e cila është 2 mijë lekë. Më pas duhet të shkojnë në shkollën përkatëse dhe të bëjnë dorëzimin e mandatpagesës, kjo është e vetmja mënyrë që këtyre kandidatëve t’u pasqyrohet mesatarja e shkollës së mesme në sistemin elektronik dhe më pas ata të vijojnë me plotësimin e formularit të aplikimit.

Maturantët ndryshe nga vitet e tjera, kur pjesë e programeve të studimit kanë qenë vetëm programet e studimeve që ofrohen nga universitetet publike, këtë vit do të kenë të listuara edhe programet e studimit që ofrohen nga ato private. Në total, në formularin e aplikimit maturantëve do t’u shfaqen 442 programe, ku 290 janë programe studimi që ofrohen në 12 universitetet publike dhe 152 të tjera janë programe që ofrohen nga 22 universitete jopublike, mes të cilave duhet të zgjedhin vetëm 10 programe studimi.

“GSH”, bashkangjitur shkrimit publikon 442 programet e studimit që ofrohen nga 34 universitetet në mbarë vendin, të cilat kanë të drejtën të regjistrojnë studentë në vitin e parë, pasi ka edhe disa universitete private që për shkak të vendimit të vjetshëm të qeverisë, edhe këtë vit nuk do të lejohen të regjistrojnë studentë në vit të parë. Afati i hedhjes në sistem i notës mesatare është data 10 gusht, ndërsa aplikimi për në universitet bëhet në datat 1-11 gusht 2016. Programet e publikuara nga AKP, faktikisht janë të paplota, pasi mungojnë kuotat dhe tarifa e shkollimit, gjë e cila mungon në të gjitha faqet zyrtare të universiteteve publike. Përjashtim bën vetëm Universiteti i Tiranës, i cili i ka publikuar kuotat dhe formulën e pranimit për çdo program studimi që ofron.

Hapat për aplikim
Agjencia Kombëtare e Provimeve njofton të gjithë kandidatët që dëshirojnë të marrin pjesë në garën e pranimit në Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL), se duhet së pari duhet të bëjnë plotësimin pranë shkollave përkatëse të mesatares në portalin matura.akp.gov.al. Mesatarja pasqyrohet në sistemin informatik nga përfaqësuesit e autorizuar të shkollave të mesme dhe vetëm pas kryerjes së kësaj procedure, maturanti mund të bëjë plotësimin e formularit të aplikimit për në IAL në çdo mjedis ku ka akses interneti, sipas kalendarit bashkangjitur shkrimit.

“Plotësimi i këtij formulari lidhet me përzgjedhjen e jo më shumë se 10 (dhjetë) programeve të studimit, preferenciale midis atyre të ofruara nga Institucionet Publike dhe Private të Arsimit të Lartë për vitin akademik 2016-2017. Pas këtij procesi të kryer me sukses, kandidati bëhet pjesë e garës për t’u shpallur fitues në programet e studimit që IAL-të ofrojnë. Procesi i hedhjes në sistemin informatik të notës mesatare (sipas VKM-së nr. 407,dt.01.06.2016) fillon në shkollat e mesme ditën e premte dt. 29.07.2016 ora 08.30.”, njoftohet nga AKP.

Më tej në njoftim pasqyrohen katër hapat që duhet të ndjekin maturantët për t’u bërë pjesë e garës për në universitet. “Çdo maturant/kandidat për hedhjen në sistem të notës së tij mesatare duhet të kryejë sipas radhës veprimet e mëposhtme: Së pari, duhet të shkarkojë nga faqja e Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP) ëëë.akp.gov.al////// faturën për arkëtim tek linku, fatura për arkëtim për plotësimin e formularit për në IAL dhe më pas ta printojë.
Me këtë faturë të printuar duhet të paraqitet pranë zyrave të Postës Shqiptare, apo secilit filial të bankave të nivelit të dytë për të kryer pagesën e tarifës përkatëse prej 2000 lekësh. Hapi i tretë, duhet të paraqitet në drejtorinë e shkollës në të cilën ka bërë aplikimin e formularit A1, apo A1Z dhe të dorëzojë mandatpagesën. Pas dorëzimit të mandatpagesës, punonjësi i autorizuar nga drejtoria e shkollës hedh në sistemin informatik notën mesatare të tij sipas formulës së përcaktuar me VKM. Vëmë në dukje se maturantët që nuk ndjekin procedurën e mësipërme, nuk kanë mundësi të aplikojnë me formularin e aplikimit për në IAL për shkak të mungesës në sistem të notës mesatare. Afati i plotësimit të notave mesatare në sistem është nga data 29.07.2016 ora 08.30 deri 10.08.2015, ora 16.30”, sqarohet nga AKP.

Gjithashtu, aplikantët për në IAL, përsa u përket afateve të plotësimit të mesatares duhet të kenë parasysh edhe kalendarin e aplikimeve sipas DAR/ZA-ve të publikuar në faqen zyrtare të AKP. P.sh, maturantët dhe kandidatët e DAR Tiranë kanë si afat plotësimi të mesatares periudhën 29 korrik deri më 3 gusht 2016, meqenëse kjo është edhe data e fundit e aplikimit për maturantët/kandidatët në këtë DAR. Po njësoj për secilin DAR/ZA, afati i fillimit të plotësimit të mesatares në sistem është data 29 korrik dhe afati i fundit është ajo datë kur kanë të planifikuar ditën e fundit të aplikimit për në IAL.

(442 programet e studimit që ofrohen nga 34 universitetet në mbarë vendin i gjeni në numrin e sotëm të Gazetës Shqiptare)

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: